Mbi 2000 viktima nga tërmeti në Marok


Në Marok dëmet janë katastrofike pas tërmetit. Mbi 2000 persona raportohen të vdekur, qindra të zhdukur dhe rreth 2000 të plagosur. Bilanci tragjik pritet të rëndohet edhe më tej se qindra persona të tjerë raportohen të zhdukur.

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter u regjistrua rreth orës 23:00 të natës të së premtes, 71 kilometra në jugperëndim të qytetit historik të Marrakeshit, por lëkundjet u ndjenë në gjithë vendin. Autoritetet vendase thanë se nuk ka qytezë ku lëkundjet e forta nuk u ndjenë. Banorët në gjithë vendin braktisën shtëpitë dhe u dyndën rrugëve për të shpëtuar.

Ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën për gjetjen e sa më shumë të mbijetuarve nën rrënoja, por siç bëjnë të ditur autoritetet vendase, zona ku u regjistruan lëkundjet dhe ku ka më tepër dëme është malore dhe shumë e thepisur dhe arrihet me vështirësi. Në ndihmë të tyre janë angazhuar qindra trupa ushtarake.

Mes qyteteve më të dëmtuar është Marrakeshi, që ndodhet pranë epiqendrës. Qyteti që e ka zanafillën që në shekullin e 12 është nën mbrojtjen e UNESCO-s, por tërmeti ka shkaktuar krahas viktimave, edhe dëme të shumta në ndërtesat historike të islamizmit të hershëm.

Liderë të ndryshëm botërorë si presidenti amerikan Xho Bajden e presidenti francez, Emanuel Makron, kancelari gjerman Olaf Scholz shprehën ngushëllimet për këtë tragjedi dhe ofruan ndihmat e tyre.

Ekspertët e konsiderojnë këtë si tërmetin më të fuqishëm të paktën në 100 vitet e fundit, me një magnitudë të pazakontë, pasi më herët në Marok nuk janë regjistruar lëkundje mbi 6 ballë.

Në nder të viktimave të këtij tërmeti, qeveria marokene shpalli 3 ditë zie kombëtare.

Baby Boo