Mbi 20 zyrtarë amerikanë në Vjenë dyshohet se janë prekur nga Sindromi Havana


Austria është duke punuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara për t’i hetuar disa raste të dyshimta me një problem shëndetësor të njohur si Sindromi Havana në mesin e diplomatëve amerikanë në Vjenë, tha të shtunën Ministria e Jashtme e Austrisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, muajin e kaluar tha se vendi i tij është duke kryer një hulumtim të nivelit mbarëqeveritar për t’i zbuluar shkaktarët e kësaj gjendjeje shëndetësore, ndonëse dyshohet për su*lme me radio-frekuencë të drejtuar ndaj diplomatëve amerikanë.
Ky sindrom po manifestohet me probleme të ndryshme neurologjike te të prekurit dhe për herë të parë ishte paraqitur në kryeqytetin e Kubës, Havana, në vitin 2016, prej të cilit edhe e ka marrë emrin.

Revista “The New Yorker” raportoi të premten se që nga ardhja në pushtet e Presidentit Joe Biden, mbi 20 oficerë të inteligjencës, diplomatë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë në Vjenë kanë raportuar simptoma të ngjashme me ato të Sindromit Havana.
“Ne i marrim këto raporte shumë seriozisht dhe, në linjë me rolin tonë si shtet pritës, jemi duke punuar me autoritetet amerikane për t’i dalë në fund së bashku kësaj pune”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të Ministrisë së Jashtme të Austrisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Vjenë refuzoi të komentonte rreth këtyre raportimeve, duke këshilluar që pyetjet t’i dërgohen Departamentit të Shtetit.
Ndryshe, në Vjenë ndodhen disa agjenci të Kombeve të Bashkuara si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke nënkuptuar se shtetet më të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shpesh kanë nga tre ambasadorë dhe prani të madhe diplomatike në këtë qytet.

Kjo e ka bërë Vjenën qendër për aktivitete diplomatike dhe sp*iunazh, sepse shumë sp*iunë operojnë nën petkun diplomatik.
Sipas të dhënave në uebfaqen e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, në Vjenë tash për tash ndodhen 158 diplomatë të Shteteve të Bashkuara.

Baby Boo