Mbahet Akademia e mirënjohjes për demonstratave të vitit 81 në Gostivar!


Në sallën e Këshillit Komunal të Komunës së Gostivarit, sot është mbajtur Akademi në përkujtim të demonstratave të vitit 1981 në organizim të Shoqërisë Lëvizja. I pranishëm në këtë organizim ishte kryetari i Gostivarit, Arben Taravari i cili është drejtuar me një fjalim para të pranishëvë. Megjithëse kanë kaluar 34 vjet, tha Taravari, ende midis këtij grupi njerëzish ndjehet energjia dhe forca e pionierëve të ndryshimit.

“Pikërisht para kaq vitesh, disa nxënës patën kurajon të ngriheshin kundër një regjimi, një sistemi që cënonte dinjitetin dhe identitetin e tyre. Ne e dimë se e kaluara ndëretnike e këtij shteti ka qënë një histori e mbushur me negativitete, inate, urrejtje, padrejtësi dhe komplekse të pafundme. E dimë dhe se ishin shqiptarët ata që ishin viktimë e këtij diskrimini etnik, por në mes të asaj periudhe të rëndë, ishin këta nxënës që atëherë thanë Jo, e që shkruan një faqe historike jo vetëm për Gostivarin por për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ndodhemi sot këtu jo vetëm për të nderuar veprën tuaj, por edhe për të kujtuar se çfarë domthënë individë të përgjegjshëm”, tha Taravari.

Sipas tij, pas protestave tuaja kundër paraleleve shkollore ku brutalisht shqiptarët shiheshin si popull i dorës së dytë, asgjë nuk do ishte më e lehtë për ju.

“Persekutimi i pushtetit të atëhershëm do i përndjekte këta njerëz në mënyrë histerike si çdo pushtet i sëmurë. Ndaj sot të gjithë ata që janë këtu e janë aktorë të atyre ngjarjeve, janë Heronjtë e paheshtur të Ndryshimit dhe janë Heronjtë e Heshtur të Gostivarit! Gostivari ka dëshmuar se ka qenë djep i dinjitetit dhe trimërisë prej moti. Prej viteve të para të pasluftës, numërohen emra e ngjarje që secila meriton respekt e mirënjohje të veçantë”, vijoi Taravari.

Në kohën e protestave të këtyre njerëzëve që janë sot këtu dhe shokëve të tyre që nuk jetojnë më, tha ai, unë isha një nxënës i vitit të parë që shikonte gjithçka me admirim, dhe ashtu si çdo gostivaras, isha i mbushur me krenari e respekt për këta të rinj të dikurshëm e burra e zonja të sotëm.

“Nuk më kishte shkuar mendja se do të vinte një ditë si kjo, ku unë do ta kem privilegjin të shpreh mirënjohjen e gjithë Gostivarit, mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, mirënjohjen e të gjithë njerëzve që vuajnë për të drejtat e tyre, ndaj Jush. Faleminderit që patët guximin që të vendosnit jetën tuaj në rrezik si gurëthemeli për ndërtimin e kështjellēs së Lirisë, që sa vjen dhe bëhet më e fortë dhe më e dukshme. Jam krenar që kam mundësinë të jem sot këtu për ju e për t’ju shprehur admirimin, vlerësimin dhe falemderimin tonë”, shtoi Taravari duke mbaruar fjalimin me faleminderime për organizatorët e demonstratave.

“Faleminderit nga zemra! I nderuar qoftë kujtimi i atyre prej jush që nuk janë më, e ju gëzofshim e ju patshim gjatë, të gjithë juve që jeni sot këtu e që me të drejtë duhet të merrni emrin Misionarë të Lirisë! Jeni krenaria jonë dhe e çdo gostivarasi! Faleminderit”, përfundoi Taravari./Gostivari Sot/

Baby Boo