Mazreku ju bën thirrje agjencive turistike që t’i sigurojnë udhëtarët


Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ 05/2003, i cili është mbështetur në Ligjin e Truizmit, Agjencitë Turistike duhet t’i sigurojnë klientët e tyre. Tash e tutje klientët do të jetë të siguruar në realizimin e së drejtës së tyre përmes policës së sigurimit.

Pra, nëse kompania nuk përmbush marrëveshjen që ka me klientin, atëherë Institucionet përgjegjëse mund të ekzekutojnë sigurimin dhe të kompensojnë palën e dëmtuar. Para se të filloj implementimi i këtij udhëzimi në praktikë është zhvilluar një takim mes përfaqësueseve të Byrosë Kosovare të Sigurimit, respektivisht drejtorit të BKS-së Sami Mazrekut si dhe drejtorit Financiar Valon Berisha, Brahim Isufaj nga BKS-ja, si dhe Lindita Rashica, Merlinda Ramaj, Lumturie Geci, përfaqësuese të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Më saktësisht në nenin 5 të këtij Udhëzimi Administrativ thuhet se Agjencia e Udhëtimit duhet të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes një polise të vlefshme sigurimi.

“Polisa e sigurimit duhet të mbulojë kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj udhëtarit nga mos përmbushja, plotësimi i pjesshëm ose përmbushja e parregullt e detyrimeve sipas marrëveshjes së udhëtimit, itinerarit të udhëtimit ose itinerarit të ekskursionit si dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara për shkak të pamundësisë së agjencisë së udhëtimit për të shlyer kostot e nevojshme të strehimit/akomodimit, ushqimit dhe kthimit të udhëtarëve nga një udhëtim në vendin e nisjes, brenda dhe jashtë vendit. Polisa e sigurimit duhet të mbuloj edhe rastet e pamundësisë së përmendura më sipër të shkaktuara nga falimentimi i agjencisë së udhëtimit” thuhet më tutje në pikën 1të nenit 5 të këtij udhëzimi administrativ.

Më tutje në pikën 2 po të këtij neni thuhet se organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj rimbursimin e të gjitha pagesave të bëra nga ose në emër të udhëtarit në lidhje me kontratën e udhëtimit për pakot dhe shërbimet që nuk kanë ose nuk do të kryhen ose do të kryhen vetëm pjesërisht si pasojë e falimentimit apo falimentimit të organizatorit.

Po ashtu, sipas këtij udhëzimi organizatori i paketës duhet që përmes polisës së sigurimit të mbuloj kompensimin e udhëtarit për shpenzimet e strehimit të nevojshëm, ushqimin dhe kthimin në vendin e nisjes në Kosove apo jashtë vendit, si dhe të gjitha pretendimet e tjera në këtë drejtim, në rast të falimentimit të organizatorit, nëse transporti ishte përfshirë në kontratën e paketës së udhëtimit.

Për Agjencitë me qarkullim vjetor deri në një qind mijë (100,000) euro, mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën tridhjetë mijë (30,000) euro.

Agjencitë me qarkullim vjetor nga njëqind mijë (100,000) euro deri në pesëqind mijë (500,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën pesëdhjetë mijë (50,000) euro.

Për Agjencitë me qarkullim vjetor nga pesëqind mijë (500,000) euro deri në një milion euro (1,000,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën njëqind mijë (100,000) euro.

Për Agjencitë me qarkullim vjetor prej një milion euro (1,000,000) deri në dy milion euro (2,000,000) euro mbulueshmëria e polisës së sigurimit duhet të jetë të paktën dyqind mijë (200,000) euro.

Drejtori i Byrosê Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku ka thënë se nuk ka të dhëna konkrete se sa e respektojnë agjencitë turistike këtë detyrim. Ai u ka bërë thirrje atyre që ti sigurojnë udhëtarët.

Baby Boo