MASH-i kërkon kohë për të analizuar zhvillimet në UNS


Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkon kohë për të analizuar situatën me parregullsitë e paraqitura në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Ndërrimi i ministrave në këtë dikaster, së fundmi e ka vështirësuar marrjen e informacioneve edhe për dilema të tjera që janë ngritur javë më parë për punën e universiteteve në vend, dhe për të cilat Alsat ka kërkuar sqarime.

“Pothuajse një muaj më parë, Alsat ka nisur një sërë pyetjesh në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me kërkesë zyrtare për qasje deri te informacionet me karakter publik. Deri më sot, nga ky institucion ka pasur vetëm heshtje totale dhe asnjë sqarim për çështjet të cilat na interesojnë”.

Alsat mëson se Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, për momentin funksional i ka vetëm katër fakultete me disa programe studimore. Gjatë themelimit, në kudër të tij janë formuar edhe dy institute, Instituti për europianistikë dhe politikë ndërkombëtare si dhe Instituti për zhvillim ekonomik dhe menaxhim ekologjik.

Fakultete në UNS
– Fakulteti Juridik
– Fakulteti Ekonomik
– Fakulteti i Teknologjisë Informative
– Fakulteti i Shkencave Politike

Institute në UNS
– Instituti për europianistikë dhe politikë ndërkombëtare
– Instituti për zhvillim ekonomik dhe menaxhim ekologjik

Megjithatë Institutet tashmë disa vite janë vendosur në pushim. Ata nuk zhvillojnë asnjë veprimtari dhe janë tërësisht jofunksionalë. Me vetëm katër fakultete funksionalë dhe me institute pa veprimtari, kjo nënkupton se UNS-ja nuk i plotëson kushtet ligjore bazë për të funksionuar si universitet. Ligji për arsim e lartë parashikon:

Universiteti mund të themelohet nëse në pajtim me kushtet e vërtetuara me ligj, në përbërjen e tij ka së paku pesë njësi të akredituara nga të cilat të paktën tre janë fakultete – thuhet në Ligjin për arsimin e lartë.

Për çdo njësi të arsimit të lartë, universiteti duhet të ketë numër të caktuar të kuadrit akademik me marrëdhënie të rregullt pune. Megjithatë siç mëson Alsat por edhe siç deklaruan inspektorët e arsimit dy ditë më parë, në listën e personave të punësuar në Agjencinë për punësim nuk ka asnjë profesor të angazhuar me kohë të plotë, gjë që paraqet shkelje për funksionimin e një institucioni të arsimit të lartë.

Policia një ditë më parë njoftoi se po heton rasti me dy inspektorët e arsimit të cilët të mërkurën kanë paraqitur sulmin verbal dhe pengesën për të kryer inspektim në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

Baby Boo