Masa anti-covid, Kosova nuk heq dorë nga vendimi


Kosova nuk heqë dorë në restrikcionet e lëvizjes ndërkufitare si masa anti-kovid. Në ditën e tretë të vendimit që çdo hyrje në territorin kosovar kushtëzohet me tri doza apo dy doza dhe pcr test, sa vijnë e shtohet revolta e shteteve fqinje.

“Duke konstatuar se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, kërkojmë rishqyrtimin e këtij vendimi në gjetjen e një mundësie tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë.

Por nga Qeveria e Kosovës thonë se ky vendim nuk ndryshon deri më 4 shkurt. Sipas Ministrisë, Kosova zbaton rekomandimet e OBSH-së, por në momente të caktuara secili shtet aplikon ato masa që i vlerëson më produktive në kuptimin e ngadalësimit të përhapjes së infeksionit, me qëllim që të mbajë në nivel të menaxhueshëm ngarkesën spitalore dhe të minimizojë numrin e vdekjeve.

“Masat që kanë hyrë në fuqi vlejnë deri me datë 4 Shkurt. Deri atëherë ato do të mbikëqyren dhe vlerësohen në vazhdimësi për sa i përket ecurisë së zbatimit të tyre. Masat e reja në Kosovë janë për një periudhë tranzitore dhe lehtësimi i tyre varet kryekëput nga zbatimi dhe vaksinimi si proces”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Në pikën kufitare të Morinës, kuksianët protestuan kundër vendimit, duke bllokuar për disa minuta rrugën e Kombit.
“Kjo nuk është e drejtë, ne nuk kemi mundësi të paguajmë nga 30 euro testet por kemi nevojë të udhëtojmë në Kosovë. Kemi punë andej kufirit siç kemi dal gjithmonë dhe kjo është padrejtësi”.
“Në Greqi, Gjermani, Itali ku do që shkojmë neve na kërkohet vetëm kjo certifikatë e vaksinimit dhe nuk na kërkohet as tampon e asgjë tjetër. Lëvizjen e lirë e kemi kudo përveç në vendin tonë ndërmjet popullit tonë shqiptarë-shqiptarë neve na dalin këto pengesa”.
Reagime pati edhe nga Komuna e Preshevës. Autoritetet lokale në Luginë kërkuan gjithashtu rishqyrtim të vendimit. Nga 22 janari, për të hyrë në Kosovë nevojiten tre doza të vaksinës anti kovid, ose dy doza dhe test PCR negativ.

Baby Boo