Marrja e ryshfetit nga pacientët, dështim i menaxherëve të spitaleve


Jo më larg se sot (10.01.2023) dy kirurgë janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë marrë para për t’i trajtuar pacientët në spitalin e Vushtrrisë.

E ryshfeti si kushtëzim i pacientëve nga mjekët për ta kryer punën për të cilën janë betuar, është një fenomen i njohur tashmë në Kosovë, ndonëse përbën vepër penale.

Sipas hulumtimeve të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, del se në rreth 15 për qind të rasteve, pacientët është dashur të japin mjete financiare për ta marrë shërbimin mjekësor.

Për të mësuar se pse kjo dukuri negative vazhdon të ndodhë në shoqërinë tonë, Klan Kosova ka folur me kryetarin e Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, i cili si problem kryesor e sheh dështimin në mbikëqyrje apo menaxhim të ciklit të pacientëve për tash e sa vjet.

Së pari nuk diskutohet se a është e lejuar apo jo çështja e marrjes së ryshfetit nga pacienti për shërbim; prandaj edhe nuk ka se çka të komentohet në këtë drejtim. Problemet që po ndodhin vijnë për shkak se shumë kolegë tanë me apo pa vetëdije janë duke hyrë në zonat që konsiderohen si vepër penale – pra çdo dërgim i pacientëve për blerje të materialeve të ndryshme për trajtim mund të konsiderohet si vepër penale”.

“Ne kemi bërë thirrje që sa herë që institucionet shtetërore ta sanksionojnë këtë problematikë përmes rregulloreve të ndryshme ku sqarohet se a kanë të drejtë mjekët apo menaxherët e nivelit të ulët ta dërgojnë pacientin për blerjen e materialeve shpenzuese të cilat nuk janë në dispozicion të tyre për trajtim”, thotë Sejdiu.

Ai thekson se çdo kushtëzim i pacientëve nga ana e mjekëve për t’u ofruar shërbimin spitalor është vepër penale.

“Marrja e ryshfetit është çështje që nuk do koment. Çdo kushtëzim i pacientëve për trajtim është vepër penale. Mbikëqyrja apo menaxhimi i ciklit të pacientit tash e sa vite ka dështuar. Menaxherët e spitaleve duhet ta bëjnë këtë mbikëqyrje. Vlerësimi i menaxherëve është formal, pra nuk ka asgjë të bëjë me meritokraci sa i përket vlerësimit të një menaxheri”.

“Menaxherët duhet të dinë se pse një pacient pret dy deri në një muaj për t’u trajtuar. Duhet ta kenë një përgjigje. Apo në rastet kur një pacient lëshohet nga spitali pa u trajtuar, do të thotë që duhet të dihet arsyeja se pse dhe ku po shkon ai ose ajo që të trajtohet”, u shpreh ai.

Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, pajtohet se duhet të ketë mbikëqyrje më cilësore nga menaxherët në spitalet ku punojnë.

Baby Boo