Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit midis Maqedonisë dhe Greqisë: një mundësi unike për avancimin e pozitës së shqiptarëve.


Nga: Arben Fetai

Shumë gjëra janë shkruar dhe thënë në mediat shqiptare pas nënshkrimit të dielëne kaluar të marrëveshjes historike midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila do të zgjidh kontestine emrit që i ka ndarë dy vendet me dekada dhe sidomos në periudhën që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991.

Ndërsa tek maqedonasit, marrëveshja është pritur me reagime të përziera, me një pjesë të popullsisë maqedonase e cila ndjen se vendit po i kërkohet të paguajë një çmim të padrejtë për hir të pranimit në NATO dhe fillimit të negociatave me BE-në, shqiptarët njëzëri e kanë mirëpritur marrëveshjen si një zgjidhje e pranueshme e cila mundëson heqjen e vetos grekepër pranimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare.

Me “zgjidhje e pranueshme”, shqiptarët nënkuptojnë një zgjidhje e cila nuk e dëmton realitetin multietnik të Maqedonisë, ndryshe nga propozimi paraprak “Republika e Maqedonisë Ilinditase” e promovuar nga BDI, e cila u perceptua nga opozita, intelektualët dhe shoqëria civile shqiptare në përgjithësi si një përpjekje për të sllavizuar emrin e vendit dhe për t’i dhënë atij konotacione historike dhe fetare që i përkasin ekskluzivisht popullit maqedonas.

Ndër shqiptarët, pak është komentuar rreth asaj se çfarë përfshin marrëveshja përtej kësaj çështjeje, duke treguar kështupër një mungesë interesimi nga shqiptarët të cilët për dekada me radhë janë ndjerë si peng tënjë lufte të huaj midis politikanëve të papërgjegjshëm maqedonas dhe grekë.

Kjo qasje natyrisht se është e gabuar. Marrëveshja përmban një numër rreziqesh për pozitën e shqiptarëve, por para së gjithash ajo paraqet një mundësi unike për ta çuar Maqedoninë drejt natyrës së saj të vërtetë: atë të një shteti bi-nacional të maqedonasve dhe shqiptarëve.

Dispozitat kryesore të marrëveshjes: rreziqet dhe mundësitë për shqiptarët

Dispozitat e marrëveshjes tanimë të njohura nga publiku janë si në vijim:

– Emri zyrtar i shtetit do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, apo “Maqedonia e Veriut” në versionin e shkurtër, i përdorur erga omnes, pra ndërkombëtarësh dhe brenda shtetit.

– Shtetësia e qytetareve do të jetë “Maqedonas/Shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe do të regjistrohet si e tillë në të gjitha dokumentet personale.

– Gjuha zyrtare e shtetit është gjuha maqedonase.

– Kodi i tabelave të veturave do të jetë “NM” ose “NMK” por kodet shtetërore “MK” dhe “MKD” do të vazhdojnë të përdoren në lëmi tjera, në pajtim me sistemin ISO.

Siç mund ta kuptojë lexuesi i vëmendshëm, dispozitat rreth shtetësisë dhe gjuhës zyrtare janë potencialisht problematike por paraqesin edhe një mundësi të mirë për të avancuar pozitën e shqiptarëve.

E para, dokumentet personale, të cilat në bazë të marrëveshjes duhet të ndërrohen brenda 5 viteve pas hyrjes së saj në fuqi, nga këndvështrimi i shqiptarëve nuk guxojnë të përmbajnë pjesën e parë “Maqedonas”. E dyta, formulimi i marrëveshjes nënkupton se gjuha maqedonase është gjuha e vetme zyrtare e shtetit, duke injoruar kështu amendamentin V të nenit 7 të Kushtetutës rreth gjuhëve zyrtare i cili parasheh se gjuhët që fliten nga më shumë se 20% e popullatës, pra gjuha shqipe në nivel republikan, janë zyrtare gjithashtu. Por këto dy pika paraqesin në të njëjtën kohë një mundësi të artë për të avancuar pozitën e shqiptarëve siç do ta diskutoj në fund të këtij shkrimi.

Bazamenti i marrëveshjes apo postulati i saj kryesor ka kaluar kryesisht i heshtur në mediat shqiptare. Dhe ky postulat të cilin e ka pranuar Maqedonia është se atributet kryesore të Maqedonisë dhe shtetasve të saj nuk kanë të bëjnë asgjë me civilizimin, historinë, kulturën dhe trashëgiminë maqedonase dhe greke, të cilat ndërlidhen ekskluzivisht me Greqinë.

Përmes kësaj logjike mohuese dhe përjashtuese, Greqia ka siguruar monopolizimin e trashëgimisë së maqedonasve të lashtë, gjë që dëshmohet me faktin se marrëveshja nuk përmban askund fjalët e zakonshme në marrëveshje të tilla siç janë”vlerate përbashkëta” apo “trashëgimiae përbashkët”, gjë që do të duhej të nxiste reagime nga ana e historianëve shqiptarë të cilët më së miri e njohin kontributin e ilirëve dhe shqiptarëve në ndërtimin e Greqisë, nga antikiteti deri në ditët e sotme. Kjo problematikë në të cilën nuk mund të ndikohet më lënë anash, për të zbatuar postulatin e saj kryesor marrëveshja parasheh se:

– Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të formohet një komision i përbashkët ekspertesh i cili do të rishikojë çështjet historike, arsimore dhe arkeologjike, përfshirë materialet arsimore, atlaset historike, etj. për t’i hequr referencat dhe pikëpamjet që nuk janë në përputhje me marrëveshjen. Ky komision do të mblidhet së paku dy herë në vit, për t’i shikuar edhe materialet që do të prodhohen në të ardhmen.

– Monumentet, ndërtesat publike dhe infrastrukturat e ndryshme shtetërore duhet të rishikohen dhe të sillen në përputhje me marrëveshjen brenda 6 muajve pas hyrjes së saj në fuqi.

– Dielli i Verginës do të hiqet nga përdorimi publik gjithkah në Maqedoni brenda 6 muajve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Është jetike që ekspertët shqiptarë të angazhohen shumë seriozisht në punën e komisioneve të ndryshme që do të kujdesën për zbatimin e dy pikave të para më sipër, në mënyrë që të adresohen vërejtjet e vazhdueshme të shqiptarëve rreth deformimit të historisë dhe trashëgimisë kulturore të shtetit në dëm të shqiptarëve, siç do ta diskutoj në fund të këtij shkrimi.

Përfitimet e Maqedonisë

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, Greqia nuk do të bllokojë më anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare. Pas marrjes së njoftimit për ratifikimin e marrëveshjes në Parlamentin e Maqedonisë, Greqia njofton Këshillin e BE-në se ajo e përkrah hapjen e negociatave me Maqedoninë si dhenjoftonNATO-n se ajo përkrah e dërgimin e ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë. Greqia do ta ratifikojë marrëveshjen për hyrjen e Maqedonisë në NATO në të njëjtën kohë me marrëveshjen Maqedoni-Greqi, pas përmbylljes së obligimeve të Maqedonisë, përfshirë modifikimin e Kushtetutës.

Marrëveshja parasheh gjithashtu intensifikimin e bashkëpunimit midis dy shteteve në rrafshin diplomatik dhe në shumë sektorë siç janë bujqësia, mbrojtja civile, mbrojtja, ekonomia, energjia, mjedisi, industria, infrastruktura, investimet, turizmi, tregtia, bashkëpunimi ndërkufitar dhe transporti. Bashkëpunimi i ri do të formalizohet përmes një plani veprimi dhe mekanizma të ndryshme koordinimi ndërqeveritare.

Zbatimi i marrëveshjes

Hapat që do të ndërmerren nga dy shtetet për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e marrëveshjes janë si vijon, në renditje kronologjike:

– Maqedonia do të ratifikojë marrëveshjen në Parlament “pa vonesa” dhe do të njoftojë Greqinë pas ratifikimit. Nga perspektiva e qeverisë së Maqedonisë,ratifikimi duhet të kryhet para datës 28 qershor kur fillon Këshilli evropian i cili vendos për rekomandimin e Komisionit evropian për hapje të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë.

– Maqedonia mund të vendosë të organizojë referendum mbi marrëveshjen, për të cilin qeveria tanimë ka deklaruar se do ta organizojë gjatë vjeshtës.

– Maqedonia do t’i bëjë të gjitha ndryshimet kushtetuese të nevojshme para fundit të vitit 2018 për të zëvendësuar referencatmeemrin e vjetër dhe terminologjinëe ndërlidhur me të në të gjitha nenet e Kushtetutës, përmes një amendamenti të vetëm. Veç kësaj, duhet të modifikohen edhe preambula e Kushtetutës si dhe neni 3 rreth territorit dhe sovranitetit dhe neni 49 rreth shtetasve jashtë kufijve.

– Greqia ratifikon marrëveshjen, bashkë me marrëveshjen për hyrjen e Maqedonisë në NATO, pas marrjes së njoftimit nga Maqedonia për përmbushjen e të gjitha pikave më sipër.

– Marrëveshja hyn në fuqi në ditën e pranimit nga Maqedonia të njoftimit për ratifikimin e marrëveshjes nga Greqia.

Veç kësaj, marrëveshja parasheh dy periudha tranzitore:

– Ajo teknike në lidhje me dokumentet zyrtare të administratës publike të Maqedonisë që përdoren ndërkombëtarësh, përfshirë dokumentet e brendshme siç janë pasaportat, letërnjoftimet, ekstraktet e gjendjes civile, etj. të cilat duhet të sillen në përputhje me marrëveshjen brenda 5 viteve pas hyrjes së saj në fuqi.

– Ajo politike në lidhje me dokumentet zyrtare për përdorim të brendshëm, lëshimi i të cilëve do të bëhet në përputhje me marrëveshjen pas hapjes së kaptinave relevante për anëtarësim në BE dhe do të përmbyllet brenda 5 viteve pas hapjes së kaptinave respektive.

Oportunitetet për avancimin e pozitës së shqiptarëve

Më shumë se rreziqe, marrëveshja Maqedoni-Greqi, për shkak të mekanizmave për ratifikimin dhe zbatimin e saj, në fakt paraqet një mundësi unike për të avancuar pozitën e shqiptarëve.

Edhe pse teorikisht e mundur, është më se e qartë se marrëveshja as nuk do të mund të ratifikohet e as nuk do të mund të hyjë në fuqi pa votat e qytetarëve shqiptarë në referendum dhe pa votat e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Prandaj, është shumë urgjent ndërtimi i një konsensusi brendashqiptar për t’i definuar kërkesat që duhet të përmbushen gjatë amandamentimit të Kushtetutës dhe akteve ligjore dhe nën-ligjore për zbatimin e tyre, si dhe në kuadër të mekanizmave për zbatimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi. Kushtet e mëposhtme do të duhej të ishin baza e kërkesave minimale të shqiptarëve të cilat duhet të adresohen gjatë muajve dhe viteve në vijim:

– Dokumentet personale të shqiptarëve të përmbajnë “Shqiptar/Shtetas i Republikës së Maqedonisë” tek rubrika e shtetësisë.

– Neni 7 i Kushtetutës rreth gjuhëve zyrtare të shtetit, të ri-amandamentohet për të përcaktuar se gjuha maqedonase, gjuha shqipe dhe çdo gjuhë tjetër që flitet nga më shumë se 20% e popullatës janë gjuhë zyrtare të shtetit.

– Shqiptarët të jenë pjesë aktive e komisioneve të ekspertëve të cilat do të rishikojnë materialet arsimore dhe akademike por edhe monumentet siç janë ato të projektit Shkupi 2014për t’i eliminuar të gjitha referencat dhe figurat kontroverse dhe anti-shqiptare të cilat opozita dhe shoqëria civile shqiptare i kanë denoncuar në vazhdimësi gjatë viteve të fundit.

Disa nga elementet më sipër ishin adresuar drejtpërdrejtë në Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në janarin e vitit të kaluar, ku partitë zotoheshin për njohjen e shqiptarëve si popull shtet-formues në Maqedoni, përcaktimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Maqedonisë si dhe krijimin e një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Zbatimi i marrëveshjes Maqedoni-Greqi është mundësia që kemi pritur për t’i realizuar këto zotime dhe Tryeza e partive parlamentare shqiptare është forumi më adekuat për t’i definuar kërkesat e panegociueshme të shqiptarëve në këtë proces. Tryeza e partive është ndërtuar pikërisht për çështje të tilla të interesit kombëtar pornëse BDI vazhdon të sabotojë këtë mekanizëm për interesat e saj të ngushta klanore, duhet të gjendet një mekanizëm tjetër i cili bashkon subjektet politike të cilat me të vërtetë mendojnë për shqiptarët, si dhe botën akademike dhe shoqërinë civile shqiptare dhe ku do të miratohej një deklaratë e tillë.

Aq sa ishte e rëndësishme arritja e marrëveshjes Maqedoni-Greqi për sigurinë dhe prosperitetin e vendit përmes integrimit gradual në BE dhe NATO, po aq nëse jo edhe më e rëndësishmeështë zgjidhja e çështjeve të hapura midis shqiptarëve dhe maqedonasve, si element thelbësor për stabilitetin politik afatgjatë të vendit.

Me fjalët e të ndjerit Arbër Xhaferi i cili kishte shkruar se “Maqedonia më shumë ka problem me mbiemrin sesa me emrin”, zbatimi i marrëveshjes Maqedoni-Greqi është rasti që kemi pritur që nga viti 1991 e këndej për t’i dhënë Maqedonisë emër dhe mbiemër. Ky rast nuk do të vijë më në të ardhmen e parashikueshme. Nuk guxojmë ta humbim për teket e disa politikanëve të komprometuar dhe të harxhuar.

(Arben Fetai është magjistër i shkencave politike (marrëdhënie ndërkombëtare) pranë Universitetit të Lirë të Brukselit, i specializuar në studimeve evropiane pranë Institutit për Studime Evropiane (Bruksel). Ai punon në Bruksel si lobist në fushën e çështjeve evropiane dhe të zhvillimit ndërkombëtar.)

Baby Boo