Marrëveshja e Prespës, ASHAM: E pranueshme, ne ishim pjesë e krijimit


Akademikët kanë marrë pjesë me sugjerime konkrete për ekipin negociator të vendit se çfarë mund të jetë e pranueshme e çfarë dëmton identitetin kombëtar, si dhe argumentet që pala maqedonase duhej të përdorte në negociatat me palën greke. Dhe këto qëndrime janë përfshirë në marrëveshje.
“Të mos kemi iluzione, ne ishim të vetëdijshëm se të gjitha kërkesat tona nuk do të pranohen dhe për këtë duhet një kompromis i dhimbshëm për të dyja palët. Por, mendimi im është se me këtë Marrëveshje identiteti ynë dhe gjuha janë të mbrojtura dhe të përforcuara. Si përfundim mund të them se Marrëveshja është e pranueshme”,– tha kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.
Për autoritetet qendrore, bisedimet treguan se me këtë Marrëveshje Maqedonia po zgjidh një problem të madh, prej të cilit përfitojnë të gjitha etnitetet. Zaev potencon se me këtë marrëveshje përfitojnë edhe shqiptarët, edhe pse gjuha e tyre nuk përmendet specifikisht në marrëveshje, pasi kurrë identiteti dhe gjuha e shqiptarëve nuk janë mohuar nga pala greke.
“Problemi ka qenë tek identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase, sepse askush nuk e kundërshtonte gjuhën apo identitetin e shqiptarëve apo etnive të tjera. Prandaj them se me këtë marrëveshje kemi zgjidhur çështjen e identitetit tonë, ndërsa si benefit gjithë popujt kanë fituar perspektivë europiane, vende të reja pune, paga më të larta dhe një shtet më funksional për të mirën e kësaj toke multietnike”,– theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Zëvendëskryeministri Osmani thotë se vendi gjeti formulën si të jetë shtet funksional, duke e respektuar parimin e shtetit multietnik, multi-funksional dhe multi-religjioz. Por, kjo formulë nuk do të ketë sukses pa integrim në NATO e BE.
“Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me vite të tëra, ishte rrezik potencial për Maqedoninë që situata këtu të eskalojë, nga një krizë institucionale, në atë ndëretnike. Me këtë marrëveshje ndërtojmë një identitet të përbashkët shtetëror, ku të gjitha etnitetet këtu do të identifikohen”,– theksoi zëvendëskryeministri për integrimet europiane, Bujar Osmani.
Kryetari i parë i Parlamentit të Maqedonisë, shprehu keqardhjen për ndarjen që vërehet në prag të këtij referendumi të dytë kaq të rëndësishëm për vendin.
“Mickovski duhet të jetë i vetëdijshëm se politikat izoluese kanë përfunduar, me këto çështje nuk duhet të shesim patriotizëm të lirë para qytetarëve. Dhemb fakti që  tani, pikërisht para referendumit, populli maqedonas është ndarë si asnjëherë më parë, ndërsa shohim etnitetet tjera si janë rreshtuar të gjithë ta pranojnë këtë marrëveshje”,– theksoi kryetari i përbërjes së parë parlamentare, Stojan Andov.
Ambasadorët i dhanë edhe një herë përkrahje marrëveshjes së Prespës.
“Unë, sikurse edhe ambasadorët e tjerë të cilët ishin në këtë pozitë, jam angazhuar që kjo pengesë t’i largohet Maqedonisë dhe të zgjidhet problemi i emrit. Sot, ShBA dhe miqtë e Maqedonisë, Franca, Gjermania dhe të gjitha shtetet tjera, janë duke e përshëndetur marrëveshjen e Prespës”,– deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Në simpoziumin shkencor të organizuar nga AShAM morën pjesë edhe përfaqësues të fushatës  “BOJKOTO”, të cilët ndoqën punën e konferencës dhe shpërndanë disa fletushka për mosndryshim të emrit.
Baby Boo