Marrëdhëniet Shkup – Prishtinë, së shpejti seancë e përbashkët qeveritare


Vendimi për seancë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës është marrë në seancën e djeshme të qeverisë. Zëvendëskryetari i Qeverisë, Bujar Osmani, është angazhuar që në bashkëpunim me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, të përcaktojnë datën për mbajtjen e seancës së përbashkët.
“Në këtë seancë të parë të përbashkët pritet që të nënshkruhen disa dokumente, marrëveshje, që janë të rëndësishme për të dy vendet si në sferën e sigurisë, mbrojtjes, kulturës, zhvillimit ekonomik, transportit hekurudhor, si dhe marrëveshje të tjera. Tani për tani nuk mund të flas saktësisht se cilat janë marrëveshjet, për shkak se presim definimin e tyre dhe harmonizimin me palën e Kosovës”,– tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Deri më tani, Qeveria ka mbajtur seancë të përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Qeverinë e Republikës së Bullgarisë. Njëkohësisht, seancë e përbashkët pritet që të mbahet edhe me Qeverinë e Republikës së Serbisë.
Takimi i përcaktuar më herët me Qeverinë serbe është anuluar, prandaj Qeveria pret datë nga Beogradi për mbajtjen e seancës së përbashkët me Qeverinë e Serbisë. Seancat e përbashkëta mbahen në frymën e bashkëpunimit ndërfqinjësor, si një nga parakushtet kryesore për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Baby Boo