Maqedonia me bukën më të shtrenjtë në rajon!


Çmimi i bukës në markete varion nga 50 deri në 95 denarë, varësisht nëse është bukë e thjeshtë, e bardhë apo integrale. Disa nga amvisat tashmë po mendojnë që bukën ta nisin ta gatuajnë vetë, por edhe kilogrami i miellit është rreth 50 denarë dhe po t’i shtosh edhe harxhimet e tjera, si për shembull rryma, qytetarët thonë se as ky opsion nuk është aq i lirë. Edhe një çerek byreku ka arritur në 75 denarë. Këto janë çmimet që gjetëm këtë mëngjes nga xhiroja që bëmë në tregjet më të mëdha të kryeqytetit.

-Mendoni të gatuani bukë duke marrë parasysh çmimin e bukës? -Mendojmë, prandaj blejmë miell.
-Mielli është i lirë? -Edhe mielli po shtrenjtohet.
-A është i lartë çmimi i bukës? -I lartë është.
-Po mendoni të gatuani bukë? -Mos dhashë Zoti, jam e sëmurë. Dy herë me koronë, zemër të dobët. Djali më tha të blejë një aparat, atëherë ishte një. Ende jo. Ndoshta në dimër.
-A është çmimi i lartë për standardin tonë? -Shumë i lartë.

Sipas ekonomistit Branimir Jovanoviq, duhet të ketë kontroll të çmimeve dhe të rikthehet ngrirja e çmimeve. Kjo parandalon përshkallëzimin e inflacionit dhe ndihmon drejtpërdrejt njerëzit.

“Gjithmonë është më mirë të kontrollohen çmimet sesa të jepen subvencione apo mbështetje për njerëzit për të blerë bukë më të shtrenjtë, sepse me kontroll të çmimeve parandalohet përshkallëzimi i inflacionit”, theksoi Branimir Jovanoviq, ekonomist.

“Buka në shportën e konsumit në Maqedoni zë mjaft hapësirë, dhe nëse çmimi i bukës rritet, kjo shkakton një shkallë të lartë të inflacionit dhe së dyti, buka lidhet me çmimet e të gjitha produkteve të tjera, kështu që nëse buka shtrenjtohet, gjithçka tjetër do të bëhet më e shtrenjtë”, shpjegon Jovanoviq.

“Duke kontrolluar çmimin e bukës ju ndihmoni të gjithë ata që shpenzojnë për bukë. Dhe nëse shkoni me dhënien e parave, nuk mund t’i jepni para të gjithëve. Lypësit, për shembull, nuk janë në sistemin e mbrojtjes sociale, nuk mund t’u jepni para dhe ata kanë nevojë për bukë”, pohoi Branimir Jovanoviq, ekonomist.

Krahasuar me vendet e rajonit, buka në Maqedoni është më e shtrenjta dhe është afër çmimit të bukës në vendet evropiane.

Serbia 29 denarë (çmim i ngrirë)
Kosovë 0.50 cent (30 denarë)
Greqia 0,83 cent (51 denarë)
Gjermani 1.23 euro (75 denarë)
Francë 1.53 euro (94 denarë)

Përgjigje kërkuam edhe nga Ministria e Ekonomisë, nëse planifikojnë të ngrijnë çmimin e bukës apodo të vazhdojë trendi i rritjes së çmimeve, por deri më tani nuk kemi përgjigje. Ndërkohë, është duke u zhvilluar korrja e grurit, për të cilën bujqit ankohen se çmimi i blerjes është i ulët dhe nëse duan të rrisin çmimin e bukës në mes të blerjes, do të kërkojnë çmim më të lartë për grurin./TV21

Baby Boo