Maqedonia e Veriut ndan nga 100 euro për pensionistët


Në kuadër të masave të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të amortizuar goditjen që kanë pësuar qytetarët dhe bizneset nga kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, pensionistët të cilët kanë pensione më të ulëta se 250 euro, do të marrin vauçera në vlerë prej 100 eurove për të blerë produkte vendore.
Në këtë pako, që është e katërta për ndihmë financiare për qytetarët dhe bizneset, siç ka bërë të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përfshihen mbi 180 mijë pensionistë, ndonëse pensionistët janë ndër grupet e rralla, ku të ardhurat e tyre nuk janë prekur nga pandemia me koronavirus.

Në pakon e tretë të ndihmës, ndarja e vauçerëve u problematizua për shkak të krijimit të radhëve të gjata para bankave për marrjen e të njëjtave, që paraqiste rrezik nga infektimi me koronavirus.
Dance Daskallovska përfaqësuese e Shoqatës së pensionistëve thotë për Radion Evropa e Lirë se pensionistët po presin me padurim që të marrin këtë ndihmë nga shteti.

“Mezi presin nëntorin që të marrin vauçerët që siç thonë një herë të vetme të mund ta mbushin plot frigoriferin e tyre, më duhet të theksoj se këto mjete janë shumë domethënëse për më shumë familje”, thotë Daskallovska dhe shton se për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, një pjesë e madhe e pensionistëve, me pensionet e tyre, ndihmojë familjet.

Njohësit e çështjeve politike thonë se pensionistët mbeten në target të çdo përbërjeje qeveritare për të fituar simpatinë e tyre përmes lehtësimeve të ndryshme, pasi ata paraqesin një trup serioz elektoral.
Bashkim Selmani, njohës i çështjeve politike, thotë se edhe kjo përbërje qeveritare, ashtu edhe si në të kaluarën, synon të joshë pensionistët me pak para, në vend se të sigurojë sistem të qëndrueshëm shëndetësor dhe kushte më të mira, në mënyrë që të rinjtë të mos varen nga prindërit pensionistë.

“Pensionet kanë mbetur stabile, pra nuk ka ulje. Dhënia e vauçerëve më shumë paraqet një improvizim sesa mundësi për zgjidhjen e një problemi social në planin afatgjatë, jo vetëm për këtë kategori. Duhet krijuar kushte që moshat e shtyra të marrin shërbime cilësore në sistemin e shëndetësisë, kjo është primarja në këtë kohë… që të kenë një jetë dinjitoze me atë që fëmijët e tyre të jenë të pavarur dhe jo ndihma afatshkurtra, siç është çështja e vauçerëve”, thotë Selmani.

Ligjëruesi në Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkupit, Nenad Markoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pensionistët targetohen në vazhdimësi, si pjesë e masave të qeverisë, për faktin se pensionistët mbeten grupi më i ndjeshëm në shoqëri, për shkak të ardhurave të ulëta.

“Këtu ka dhe një dimension praktik, pensionistët paraqesin një trup të madh elektoral, votat e të cilëve janë vendimtare për fitoren e njërit apo opsionit tjetër politik. Prandaj çdo qeveri, e cila në një mënyrë ose tjetër synon të fitojë simpatinë e pensionistëve, pasi ata paraqesin një trup shumë të rëndësishëm elektoral”, thekson Markoviq.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë theksuar se ndihmat për pensionistët bëhen për shkak se kriza e pandemisë ka pamundësuar rritjen e pensioneve, që ka qenë si premtim elektoral. Qeveria ka thënë se për rritjen e pensioneve dhe pagës minimale do të angazhohet posa të fillojë të rimëkëmbet ekonomia e vendit nga kriza e shkaktuar nga koronavirusi.
Edhe gjatë përbërjeve të kaluara qeveritare, për pensionistët janë mundësuar privilegje të caktuara, si shfrytëzimi i transportit publik pa pagesë, pushime njëjavore në banjat termale dhe privilegje të tjera.

Baby Boo