Maqedoni e Veriut: Malet e Sharrit pritet të shpallen Park Kombëtar


Maqedonia e Veriut është pranë shpalljes Park Kombëtar të Maleve të Sharrit, një bukuri e rrallë dhe e pasur natyrore që perveç këtij vendi shtrihet edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Ky status do të ndihmojë mbrojtjen e jetës së egër dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Shpatet e paprekura të Maleve të Sharrit që ofrojnë një peisazh që të merr frymën, do të ruhen për brezat e ardhshëm.
Në pak ditë, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet të miratojnë një projekt-ligj që u jep Maleve të Sharrit statusin e Parkut Kombëtar. Alpet e Ballkanit ofrojnë magjinë e një bote të largët malore.

Ato përfshijnë 240 mijë hektarë tokë, që shtrihen përgjatë Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Me bukurinë e tyre natyrore dhe jetën unike të egër, këto male janë një thesar i vërtetë.
Malet e Sharrit përbëhen nga 37 liqene akullnajore, 25 prej të cilave ndodhen në pjesën maqedonase ndërsa pjesa tjetër në Kosovë.
Edhe biodiversiteti është mbresëlënës me 200 specie endemike bimore, 167 lloje fluturash, 12 lloje amfibësh, 18 lloje zvarranikësh, 130 lloje t zogjësh dhe 45 lloje gjitarësh, që është pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të gjitarëve në Maqedoninë e Veriut.

Zona e gjerë do të jetë një nga parqet më të mëdha kombëtare në Evropë, nga i cili vendasit presin përfitime të mëdha.
“Presim shumë nga Parku Kombëtar. Presim ardhjen e turistëve, shitjen e produktete të qumshtit, që besoj se do të jetë më mirë dhe me çmime më të larta. Presim edhe rregullimin e infrastrukturës, mirëmbajtjen e rrugëve për të gjithë blegtorët. Pra ka shumë përfitime që priten nga Parku Kombëtar”, thotë Naser Xhemaili, pronar i një bio-ferme për turizëm malor dhe kalërim.

Kjo zonë ishte rre*zikuar për vite të tëra nga mbishfrytëzimi i tokës dhe prerja e pyjeve, sidomos në pjesët më të populluara ku njerëzit e marrin si të mirëqenë përdorimin falas të tokës për bujqësi, gjueti dhe prerjen e pemëve.
Në dy dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur rreth 40 mijë hektarë të pyjeve nga prerjet e paligjshme.
“Maqedonia e Veriut ka një mundësi historike që pas 60 vitesh të ketë një park të ri kombëtar, i cili është enigma që mungon, në zonat e mbrojtura të Ballkanit. Së bashku me zonat e tjera të mbrojtura në vendet fqinje, ne do të kemi zonat më të mëdha ndërkufitare të mbrojtura në të gjithë Evropën, gjë që na bën krenarë“, thotë Anela Stavrevska-Panjotova nga Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

Demir Seferi, 72 vjeçari që është pronar i fermës së turizmit malor “Zabeli”, pajtohet.
“Nga përvoja ime 12 vjeçare me bagëti në Kroaci , mendoj se shpallja Park Kombëtar e Maleve të Sharrit sjell përfitime për të gjithë qytetarët. Nuk mendoj se do ta dëmtojë dikë, por do të sjell përfitime, në veçanti në zonën e Parkut Kombëtar”, tha ai.
Strategjia kombëtare e qeverisë parasheh ndarjen e Parkut në katër pjesë: zonën e mbrojtur rreptësisht, zonën aktive të menaxhimit, atë për shfrytëzim të qëndrueshëm dhe një zonë neutrale që ndan parkun me pjesët tjera.

Zona nën mbrojtje të rreptë përfshinë 166.5 kilometra katrorë, më shumë se një e katërta e gjithë parkut, e cila përbëhet nga një ekosistem origjinal dhe i pandryshuar.
Përveç mbrojtjes, projekti ka për synim tërheqjen e vizitorëve.
“Kjo është një mundësi e madhe për brezat e ardhshëm, si dhe për brezin e tashëm. Ne mund t’i shfrytëzojmë burimet tona natyrore në një mënyrë të qëndrueshme. Kemi mundësi për ski në dimër, alpinizëm, çiklizëm në verë dhe turizëm nga e gjithë bota. Duam të mirëpresim të gjithë në Malet e Sharrit, t’i shijoni ato, ushqimin vendas, verërat lokale duke kaluar një kohë të mrekullueshme”, thotë Naser Nuredini, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut.

Daniel Bogner, eksperti kryesor për planin e menaxhimit të Parkut të ardhshëm Kombëtar, thotë se brenda disa muajve duhet të zhvillohen programe të ndryshme.
“Na duhen ekspertë për punë shkencore, kemi nevojë për ekspertë të zhvillimit turistik, kemi nevojë për ekspertë administrate, për mbledhjen e fondeve, ekspertë për aktivitete arsimore. Kemi nevojë për të zhvilluar qendrën e informacionit, shtigjet e aplinizmit e të tjera”, tha ai.
Pas shumë dekadash pritjeje, kjo bukuri natyrore më në fund do të ketë mbrojtjen e merituar.

Baby Boo