Manifestim për mërgimtarët në Veshallë të Tetovës (VIDEO)


Fshati Veshallë i Malësisë së Tetovës ka organizuar një manifestim për t`u dëshiruar mirëseardhje mërgimtarëve që kanë ardhur në vendlindje për të shuar mallin me familjet dhe të afërmit e tyre.
Gjatë këtij manifestimi ka pasur një program të ngjeshur kulturor, që është ndjekur nga një numër i madh banorësh dhe mërgimtarësh të këtij fshati, por edhe të fshatrave përreth.
Një shkrim për këtë manifestim e ka bërë Prof. Vebi Bexheti, të cilin po e sjellim të plotë në vazhdim:

TAKIM MES LOTËSH NGA GËZIMI, E MALLIT PËR VENDLINDJEN !
Sot, më 24.07.2021, në Veshallë u mbajt manifestimi “Takimi me kurbetqarët”, organizuar nga Këshilli organizativ i aktivistëve veshallas, që jetojnë e punojnë në Zvicër. Si kurrë më parë, sot Veshalla u mbush me bijtë e vet, me kohë të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës. Që në mëngjesin e hershëm me freskinë e Sharrit, nisën të mbërrijnë makinat e para nga qyteti, me udhëtarët nostalgjikë, të cilët mezi prisnin ta shihnin vendlindjen, për të cilën i përvëlonte malli. Kishte plot dy vite, që ata nuk e kishin parë katundin, që u dha jetë, e që më vonë i përcolli për t’i shpërndarë anë e kënd botës.
Sot rrugicat e këtij katundi, të mbuluara me kullosë, edhe pse të shtruara më kalldrëmë betoni, u shndërruan në lumej njerëzish, moshash të ndryshme, për t’i vizituar shtëpitë e lëna shkretë, vatrat e tyre, brenda të cilave, dikur, zhvillohej jeta, ashtu siç ishte, ndoshta me varfëri, por me më shumë dinjitet e dashuri për njëri tjetrin.

Ata të gjeneratës së parë, që i lanë stanet e bagëtinë, draprin e kosën dhe morën rrugën e kurbetit, tanimë pensionerë, me lot ndër sy, i shikonin kodrinat përreth dhe ashtu si në ëndërr e sillnin ndërmend kohën e rinisë së tyre dhe ndarjen nga katundi dhe vatra ku u lindën. Gjenerata e dytë e kurbetqarëve, që prindërit i kishin marrë me vete, ashtu të përmalluar i vizitonin klasët e boshadisura të shkollës, ku e kishin mbaruar shkollën fillore, ose e kishin ndërprerë, për ta vazhduar në Zvicër, Gjermani Itali dhë ndonjë vend tjetër. Atyre më të rinjve, që kishin lindur në shtetet perëndimore, u vinin vërdallë në mendje fjalët e gjyshërve dhe të prindërve, rrëfimet për jetën në Veshallë dhe ashu me habi mundoheshin ta arsyetojnë “përrallën” e tyre për këtë vend mes malesh, qē assesi të binden se pikërisht aty paska qenë parajsa e vërtetë.

Ashtu sipas traditës, siç e kërkonte edhe dasma e Veshallës, “ustallarët”, që në këtë rast ishin dy palë lodra e dy palë curle, në kohën e caktuar nga organizatorët, përballë katundit, “Te Kulla” ia nisën nebetit të parë, e pas një kohe të shkurtër arritën te “Çaukthi”, aty ku kishin dalë për t’i pritur organizatorët e manifestimit dhe kurbetqarët tjerë, shumica e të cilëve tanimë kishin ndërtuar shtëpi në Tetovë, por që i kanë edhe shtëpitë e boshadisura në katund. Pas “nebetit të dytë”, në hyrje të katundit, ku jehona e lodrave dhe curleve përplaseshin nga “Gjuri Gjatë, te “Gjuri Dinok”, e nga “Lugji Kullës”në “Varishë”, të gjithë dasmorët, edhe pse pa nuse, u nisën në drejtim të oborrit të shkollës, në arenën e madhe ku do fillonte vallja e burrave, nga “Kollonçoj”, e deri te vallja e fundit, për të nisur sërish nga e para, por me kryevalltarin tjetër.

Si asnjëherë më parë, sot ishin bashkë valltarët më të mirë të gjeneratës, që i kishin zëvendësuar mjeshtrit e mëdhenj, parardhësit e tyre, që lanë gjurmë në artin e valles. Pa asnjë koreografi, apo skenar, ashtu në mënyrë spontane, valltarët kurbetqarë, që me vallen tradicionale veshallase ishin të lidhur shpirtërisht, ashtu si me vendlindjen e tyre, me orë të tëra i kënaqën shikuesit, burra e gra, djem e vajza. Ritmi i saktë i këmbëve, e i harmonizuar me melodinë e curles dhe rrahjen e lodrës, sikur krijonte magjinë e puthjes me sipërfaqen e kësaj toke, të pashkelur gjatë kohë. As edhe të rinjtë e gjeneratës së “diskotekave” të metropoleve evropjane, nuk e ngatërronin ritmin e këcimit të kësaj valle popullore me me ate moderne, të fundjavës së zakonshme të qyteteve ku jetojnë e punojnë.

Pas një pushimi të “lodraxhinjve”dhe valleve që gjatë kohë do mbahen mend, programi vazhdoi me këngë popullore atdhetare dhe këngë kurbeti, që gjithashtu ngjalli emocione nga të pranishmit kurbetqarë dhe gjithë të pranishmit tjerë në këtë takim madhështor. Ashtu siç e do tradita, nuk mungoi as edhe dreka me merenden tradicionale, e njohur gjithandej në këto hapësira. Pas një pushimi, sërish jehoi kënga dhe vallja popullore, ndërsa të pranishmit u çmallën me njëri tjetrin, nën lotët e mallit për katundin dhe pak njërëzit që kanë mbetur të jetojnë atje. Me të mbaruar ky program festiv, nisi të zbrazet sërish Veshalla për të vazhduar jetën në vetmi dhe qetësinë që vret. Derisa kolona e makinave luksoze, u drejtua rrugës për në Tetovë, pas përshëndetjes së kurbetqarëve me njëri- tjetrin dhe me ata më besnikët, që kishin vendosur të jetojnë në vetminë e madhe, mes malesh, dielli i një dite verore rrëshqiste pas kodrave në drejtim të perëndimit.

Baby Boo