Mane: “ Atsheu im/ Ç’QIPËRIA!”


Nga Bledi Mane

Kam vite të tëra që kërkoj fytyra të lumtura në këtë vend por s’mundem. Në ushqimoren përballë gruaja e pronarit të qesëndis nëse blen edhe ujin. Lacat dhe të fortët e lagjes pavarësisht formës trapezike të kafkës dhe trurit brenda ta çajnë trapin me ironinë e tyre që u vjen era xaxiq dhe të kërcënojnë orientalisht edhe kur nuk ua var aspak.Kamarieri në mëngjes ta servir kafen si granatë mësimore pavarësisht se ti ke vite që nuk ia ndan bakshishin. Në zyrat e administratës edhe fodullëku edhe prepotenca të çjerr respektin e nuk e sheh njeri në sy hallexhiun kur flet. Mjeku të vëzhgon vëngër kur kërkon pak ndihmë për sëmundjen dhe jetën tënde ia le në dorë sanitares. Bodyguard-i i clubit në Bllok të fryhet e të trajton si lyps, jo si parashpenzues e të kërkon llogari edhe për facoletat që mban në xhep ndërsa atij përballë me pistoletë në brez i hap rrugën.

Nuk qesh njeri në këtë vend por vetëm deformojmë mimikën e fytyrës aq shumë sa duken më të plakur se dhe vetë historia e atdheut. Rrudhat që ia injektojmë vetes artificialisht nuk ka dermatolog e kirurg facial ti riparojë. Nuk shoh fytyra të lumtura, vetëm brengë dhe fukarrallëk jo vetëm financiar. Madje, edhe fëmijëve e të rinjve po ua trashëgojmë këtë fodullëk të poshtër. S’ndjehet dashuri asgjëkundi, gjithkush trajtohet si sfidant, armik ose rival. Urrejtje dhe paragjykime për femrën, për malësorin, për fenë, për romin, për jevgun, për lezbiken, për të pasurin, për lypsin, për kundërshatrin politik, për homoseksualin, për femrën e bukur, për djalin inteligjent, për të suksesshmin, për disfatistin, për kunatin, për komshiun, për zengjinin dhe fukarain, për veten…

Shpesh herë vras mendjen dhe them: Këtu s’ka harmoni dhe respekt e kur nuk bashkëjetojnë këto të dyja s’ka as dashuri. Dhe kur s’ka dashuri s’ka as përkëdhelje, s’ka as puthje, s’ka as epsh, s’ka as seks. E kur s’ka seks, s’ka as orgazëm, ska as spermë, s’ka as vezore të hapura, s’ka as shtatzani, s’ka as lindje, as pjellori, as vazhdimësi, as fëmijë, as lodra, as energji, as gjenerata, s’ka as shkolla, as universitete, as plazhe, as udhëtime, as argëtime, as aventura, s’ka as jetë…

Prandaj kemi mbetur historikisht dhe ende jemi një komb i vogël, i mpakur. I vogël në numër popullsie, minimalistë në dashuri për njëri-tjetrin. Një pjesë prej nesh ikin në kurbet, një pjesë prej nesh ikin nga mendja, një pjesë prej nesh ikin përgjithmonë nga kjo jetë ndërkohë dua ta di se jam kureshtar kronik: Kush janë më qefllinj, kinezët apo ne shqiptarët?

Baby Boo