Makinat luksoze në shtetin më të varfër të Evropës, ku dhe protestat jepen me konçesion


Nga Elkier Bushkolaj

Nga 1 janari i vitit 2019, në Shqipëri nuk do të lejohet importimi i makinave të prodhuara përpara 2008-s. E ky fakt nuk iu bën përshtypje shqiptarëve, popullit me të ardhurat për person nga më të ulëtat në kontinentin evropian.

Protesta për këtë vendim, mesa duket nuk do të ketë, pasi ne si popull na vjen turp të dalin në rrugë për taksat e për të drejtat e tona.

Sakaq, harrojnë se ky vendim i imponuar nga konçensionarët do pasohet me rritje të çmimit të automjeteve, që në vendin tonë shihen si mjet luksi, e jo si mjet pune.

Veçse të zhytur në kredi për të blerë shtëpi, shoferët e rinj do detyrohen të marrin hua në banka për të blerë edhe makina, pasi të importosh një të tillë do jetë thuajse e pamundur edhe për shkak të çmimit të lartë të doganës për automjetet e prodhuara pas vitit 2008.

Shoferët në vendin tonë nuk reagojnë kur rritet çmimi i figuracionit makinës, që në shumicën e rasteve është një letër bakalli, pasi kur je fajtor tjetri të lë çelësat në dorë, nuk bërtasim kur karburantin na e përziejnë me ujë, e naftën e Ballshit na e shesin si produkt që vjen nga Amerika Latine.

Ne nuk protestojmë, as kur na thonë se do rriten edhe çmimet e makinave, ndonëse ne jemi ai popull që nuk shkojmë për të kontrolluar shëndetin tek mjeku, e për makinën marrim edhe borxh për ta çuar tek mekaniku, e kur nuk e kemi mjetin markë gjermane, na duket sikur na mungon një pjesë e trupit, e nuk jemi 100% shqiptarë.

Shqiptarët, automjetet do t’i blejnë te konçensionarët, tek të cilët shteti me paratë tona merr makina me qira dhe i paguan sa frëngu pulën, e në fund mjeti mbetet pronë e kompanive private, e jo e institucioneve shtetërore.

Ky shtet që zbaton me devotshmëri urdhrat e konçensionarit, për çdo litër naftë që blejnë shqiptarët me 167 lekë litrin, mban 110 lekë për litër, e sikur të mos mjaftonte do kemi taksa për shumicën e rrugëve, që këta u thonë autostrada.

Në Shqipëri janë rreth 138 mjete për 1000 banorë, në Maqedoni, shtetin fqinj janë 190 makina për 1000 banorë, ndërsa sipas Eurostat mesatarja e vendeve të BE-së, ky aspirojmë të shkojmë është rreth 500 automjete për 1000 banorë.

Shifrat tregojnë se Shqipëria është ndër vendet me numrin më të ulët të makinave në Evropë dhe 90% e mjeteve që qarkullojnë ne vendin tonë janë të përdorura, ç’ka tregon për fuqinë e ulët blerëse të shqiptarëve për këtë produkt.

Pavarësisht këtij realiteti qeveria në vend të ndërhyjë për të lehtësuar blerësit, favorizon biznesin, ndërsa opozitës i mungojnë eksperët e mirëfilltë të ekonomisë për të trajtuar me seriozitet problemet ekonomike që realisht shqetësojnë shqiptarët.

Kjo panoramë vazhdon prej vitesh e nuk pritet të ndryshojë pasi në këtë vend edhe protestat janë dhënë me konçension, ndërsa jashtë Tiranës, fjala protestë është zhdukur nga fjalori.

Baby Boo