Madeleine Albright bëri shumë për shqiptarët – çfarë thoshte për Lu*ftën në Kosovë

Ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën në moshën 84-vjeçare.
Albright ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Në nderim të punës së saj, në Prishtinë vite më parë është ngritur edhe një bust i saj.
Ajo ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, kur president i SHBA-së ishte Bill Clinton.
Albright ka vizituar dy herë Kosovën, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit në nderim të saj.

“Së bashku ne u betuam se në Kosovë kurrë më nuk do të vinin natën njerëzit me pushkë; kurrë më nuk do të digjeshin shtëpi dhe fshatra, kurrë më nuk do të kishte terror dhe varreza masive. Kurrë më nuk do të ketë njerëz në Kosovë që jetojnë në frikë”, pati thënë Albright, në adresimin e saj para deputetëve kosovarë më 2005.