Lukashenko befason të gjithë, inaugurohet në ceremoni të paparalajmëruar


Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i cili u rizgjodh në këtë pozitë përmes zgjedhjeve të kontestuara të muajit të kaluar, të përcjella me protesta masive, është inauguruar në postin më të lartë të vendit të Evropës Lindore për mandatin e gjashtë përmes një ceremonie të paparalajmëruar.

Mediet shtetërore raportuan se qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua në Pallatin e Pavarësisë në pjesën qendrore të kryeqytetit Minsk, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Dëshmitarët thanë se rrugët ishin të bllokuara në kohën kur kolona e veturave presidenciale po kalonin nëpër qytet. Një politikan i opozitës e përshkroi këtë ceremoni si “takim sekret i hajnave”.

Inaugurimi i presidentëve zakonisht bëhet i ditur shumë ditë para datës së zgjedhur për këtë ceremoni për shkak se ajo cilësohet ngjarje e madhe shtetërore.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Lukashenko tha se Bjellorusia ka nevojë për siguri dhe konsensus buzë një krize globale, duke iu referuar qartazi pandemisë së koronavirusit.

“Unë nuk mundem, nuk kam të drejtë t’i braktis bjellorusët”, tha Lukashenko, i cili është në pushtet nga vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Ai ka këmbëngulur se i ka fituar me të drejtë 80 për qind të votave, ndërsa protestat kundër tij i cilësoi si komplot i përkrahur nga Perëndimi. Më herët këtë muaj, ai siguroi një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga Rusia.

Baby Boo