Lugina: E harruar, e frikësuar – dhe tani e mashtruar?


REPORTAZH NGA LUGINA E PRESHEVËS: Shumë banorë dhe politikanë shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë janë të befasuar me propozimin e presidentit të Kosovës për bashkim me Kosovën. Jo për shkak se nuk duan të jenë pjesë e Kosovës. Ata vetëm kanë frikë nga një marrëveshje mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, e cila do t’i linte nën Serbi pjesën më të madhe të vendbanimeve shqiptare. Një epilog i tillë do të nxiste eksodin e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në drejtim të Kosovës. Nga Shqipëria qytetarët e Luginës nuk presin pothuaj asgjë. Përvoja e tyre është kjo: Tirana ia ka dhuruar komunës së Bujanocit një kompjuter, ndërsa komunës së Graçanicës 400 mijë euro.

Rruga e Kosovës në Bujanoc. Foto: E.R.
Shkuan: Enver ROBELLI
Nëse këto ditë i kërkoni kryeqendrat e humorit të zi shqiptar, ato i gjeni në Bujanoc dhe Preshevë. «A ju ka dërguar Hashim Thaçi të vendosni gurët e kufirit të ri mes Kosovës dhe Serbisë?», «A do të jetë kufiri këndej apo andej hekurudhës?», «A do të jetë, agës, huduti andej apo këndej autoputit?» – me këso pyetjesh ballafaqohen këto ditë reporterët që marrin mundin të vizitojnë Luginën e Preshevës në jug të Serbisë, një rajon të banuar me rreth 100 mijë shqiptarë.
Shumë njerëz, përfshirë edhe politikanët lokalë, janë të habitur me dashamirësinë e papritur që po tregon presidenti i Kosovës ndaj Luginës së Preshevës. Është një dashamirësi populliste, nga e cila njerëzit në këtë trevë kanë frikë. Sepse për ta nuk flitet pothuaj kurrë në Prishtinë e Tiranë. Ose: për ta flitet vetëm kur politikanët e papërgjegjshëm në Beograd, Prishtinë e Tiranë duan t’i fusin në grusht si monedhë për kusuritje. Që nga çlirimi i Kosovës Lugina e Preshevës nuk ka gëzuar ndonjë përkrahje institucionale nga Prishtina. Në tetor të vitit të kaluar qeveria e Kosovës ndau 40 mijë euro për Luginën e Preshevës. Sipas politikanëve të Luginës këto para nuk janë transferuar ende. Thuhet se Serbia nuk lejon transfere bankare nga Kosova. Thuhet se Kosova ka provuar që paratë t’ia dorëzojë Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, e cila do të duhej t’i përcillte tutje në Luginën e Preshevës. Askush nuk e di ku janë këto para. Këto 40 mijë euro të bekuara të Kosovës. Një shumë qesharake kur krahasohet me milionat me të cilat Serbia alimenton pakicën serbe në Kosovë.

Po Shqipëria çfarë ka bërë për Luginën e Preshevës? Për një çerekshekull komuna e Bujanocit nga qeveria e Tiranës ka marrë donacion «një kompjuter». «Na e solli Ambasada e Shqipërisë në Beograd», tregon Shaip Kamberi, kryetar i Bujanocit, ndër të rrallët politikanë të Luginës së Preshevës që di të mendojë politikisht, di të analizojë me maturi rrethanat dhe nuk ngurron ta përshkruajë realitetin ashtu siç është. Realiteti është ky: një kompjuter për Bujanocin e banuar me shumicë shqiptare dhe në vitin 2010 – atëherë kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha – Tirana ia dhuroi komunës së Graçanicës 400 mijë euro. Në vitin 2014 Preshevën e vizitoi pasardhësi i Berishës në post, Edi Rama. U prit me brohoritje dhe u largua me premtimin se do të financojë hapjen e maternitetit në Preshevë. Pjesën më të madhe të financimit e mori përsipër Bashkimi Europian, Tirana dha 50 mijë euro, por nuk ndërtoi së paku një shkollë. Edhe Edi Ramës i mjaftuan frazat patriotike.

Tani befas Hashim Thaçi flet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ndërsa Edi Rama hesht, por kur gazetarët e kazanit të tij medial flasin për «korrigjimin e kufijve», atëherë edhe në Luginën e Preshevës përhapet frika në mos edhe qeveria e Tiranës e ka miratuar në heshtje planin për copëtimin e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Për ndarjen e Kosovës tani po flasin edhe mercenarët «publicistikë», të cilët nuk janë në gjendje t’i ndajnë as fjalitë sipas rregullave ortografike.

Ditëve të fundit Shaip Kamberi ka deklaruar disa herë se është kundër zgjidhjes parciale të çështjes së Luginës së Preshevës. Një zgjidhje e tillë do të shkaktonte tragjedi. Ekziston frika se në pazaret me territore mes Thaçit e Vuçiqit, Kosova të marrë disa fshatra të shpopulluara ose me pak banorë në brezin kufitar mes Kosovës e Serbisë (Luginës së Preshevës). «Një fshat po na e morën, ne shqiptarët do të jemi pakicë në komunën e Bujanocit dhe pushtetin e marrin serbët», thotë Shaip Kamberi. Nuk është zgjidhje nëse Kosova merr fshatrat pothuaj pa banorë si Zarbinca, Priboci, Suharrna, Breznica e Depca dhe njëkohësisht në kuadër të Serbisë mbesin Bujanoci e Presheva me rrethinën e afërt.

Që nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) mes viteve 1999-2001 disa gjëra kanë ndryshuar pozitivisht në Bujanoc. Pushtetin lokal e dominojnë shqiptarët, në qendër të qytetit shumica e lokaleve, shtëpive dhe banesave janë blerë nga shqiptarët, diaspora financiarisht e fuqishme ndërton, ndërton, ndërton – jo vetëm shtëpi shkel e shko, por edhe të tilla që do të mund t’i gjenit edhe në fshatrat e pasura të Zvicrës.

Në komunën e Bujanocit jetojnë 43 mijë banorë (prej tyre 56 për qind janë shqiptarë, të tjerët serbë dhe romë). Vlerësohet se rreth 13 mijë shqiptarë të kësaj komune punojnë në botën e jashtme, kryesisht në Zvicër e Gjermani. Që nga çlirimi i Kosovës mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë shpërngulur në Kosovë. Por, edhe numri i serbëve në komunën e Bujanocit, për shembull, po bie. Për tkurrjen e popullsisë kryetari i komunës Shaip Kamberi e akuzon qeverinë qendrore në Beograd. Tingëllon e pabesueshme, por deri më sot në Bujanoc shumica e ndërmarrjeve publike nuk janë privatizuar. «Me sa duket autoritetet serbe kanë frikë se ndërmarrjet mund t’i blejnë biznesmenët shqiptarë, andaj gjithçka është bllokuar», thotë Shaip Kamberi.

Ndërsa qeveritë e Kosovës që nga viti 1999 i kanë dhënë pandërprerë më shumë kompetenca, të drejta e autonomi në nivel lokal pakicës serbe, në Bujanoc qeveria serbe duke penguar privatizimin i shtyp shqiptarët në aspektin ekonomik dhe i detyron të braktisin vatrat e tyre. Në policinë multietnike, sipas Kamberit, nuk po pranohen pjesëtarë të rinj shqiptarë. Prokuroria përgjegjëse për komunën e Bujanocit dhe Preshevës gjendet në Vrajë (Vranje), aty vetëm një zëvendësprokuror është shqiptar. Prej 12 gjykatësve të Gjykatës Themelore në Bujanoc, vetëm tre janë shqiptarë. «Spitali rajonal në Vrajë ka 500 punëtorë, asnjë shqiptar», thotë Shaip Kamberi. Autoritetet serbe refuzojnë të pranojnë diplomat e institucioneve arsimore të Kosovës – domethënë: çdo banor i Luginës së Preshevës që kualifikohet në Kosovë, duhet të kërkojë të ardhmen e tij në Kosovë apo në mërgim, sepse me diplomën kosovare nuk mund të japë mësim si arsimtar, nuk mund të punojë si gjykatës, prokuror, shef financash në komunë. Edhe kështu Serbia po e spastron Luginën e Preshevës nga shqiptarët. Hashim Thaçi dhe vartësit e tij qenë lavdëruar shumë kur arritën Marrëveshjen e Brukselit, e cila, mes tjerash, rregullonte edhe njohjen e diplomave të Kosovës në Serbi. Por, Beogradi vetëm pak muaj ka qenë bashkëpunues në pranimin e diplomave, pastaj Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka ndërprerë këtë proces. Nëse Hashim Thaçi nuk ka arritur ta detyrojë Serbinë të pranojë diplomat e universiteteve të Kosovës, si do t’ia arrijë ai ta bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovën? Këtë pyetje e shtrojnë shumë shqiptarë në Bujanoc e Preshevë.

Po bëhen gati dy dekada që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por lidhjet infrastrukturore me Luginën janë të këqija. Nuk ka as autostradë, as hekurudhë, dhe gjatë verës, kur për shkak të ardhjes së mërgimtarëve lëvizjet mes rajonit të Gjilanit dhe Bujanocit e Preshevës rriten dukshëm, udhëtarët duhet të presin me orë të tëra në pikëkalimet kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë. (Terrori në pikat kufitare vazhdon. Ditëve të fundit demografit të njohur Hivzi Islami i është ndaluar dy herë hyrja në Serbi). «Është paradoksale që ne për tri orë arrijmë në Beograd dhe gati tri orë na duhen për të arritur në Prishtinë», thotë Shaip Kamberi. Distanca mes Bujanocit e Beogradit është gati 360 kilometra, ndërsa mes Bujanocit e Prishtinës 84 kilometra. Deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi i autostradës nëpër Luginën e Gërdelicës, pastaj nga Presheva deri në Beograd mund të udhëtohet vetëm në autostradë. Një segment të autostradës mes Preshevës e Leskocit është duke e ndërtuar një firmë greke. Meqë grekët përtojnë të kryejnë punë të rënda, firma greke në kantierët në Luginën e Preshevës ka sjellë shumë punëtorë shqiptarë – korçarë, vlonjatë, skraparlli e pogradecarë. Edhe kështu bashkohen shqiptarët – duke punuar për firma greke dhe ndërtuar rrugët e Serbisë, të cilat kalojnë pranë ose nëpër vendbanime shqiptare në Luginën e Preshevës.

Gjatë verës Presheva i ngjan më shumë se kurrë Gjilanit, Gjakovës, Pejës, Prizrenit, Suharekës, Malishevës, Lipjanit, Podujevës. Edhe në Preshevë vijnë mijëra mërgimtarë dhe me vete sjellin veturat e shtrenjta, kuletat e mëdha të mbushura me franga e euro dhe dëshirën e pashuar që t’ia kalojnë komshiut me organizimin e dasmës së djalit apo vajzës. Pa paratë e mërgimtarëve edhe Presheva, si shumë qytete në Kosovë, do të falimentonte shpejt. Kafeteritë në qendër të Preshevës janë plot – si në Fushë Kosovë, Kamenicë apo Prishtinë. Të rinj me flokë të rruara dhe fytyra të parruara, djem me muskuj dhe aty-këtu ndonjë besimtar leshator. Shumica nuk janë të punësuar dhe kanë vetëm një ëndërr: të gjejnë një vend punë në Zvicër a Gjermani ose të martohen me ndonjë «çikë me letra».

«Krahu i luftës» në Preshevë gjendet në opozitë. Po ashtu edhe Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit. Të dy grupet politike kanë qeverisur tepër gjatë dhe tepër gjatë kanë zhgënjyer shpresat e preshevarëve. Në situata të tilla qytetarët e përdorin votën si protestë dhe zgjedhin për kryetar një harabel politik. I tillë është Shqipërim Arifi, kryetari i Preshevës i rritur në Gjermani, i cili nuk ka kurrfarë përvoje politike. Kur u zgjodh kryetar para dy vitesh Arifi tha se pushtetet e mëpareshme komunale kanë qenë «kriminale» dhe premtoi se nën drejtimin e tij në Preshevë do të vijnë investitorë të huaj. Kjo nuk ka ndodhur dhe për Arifin me gjasë vlen ajo fjalia gjermane: «Was kümmert mich mein Geschwätz von gestern!», që domethënë: pse të bëhem merak për pallavrat që thashë dje. Ndoshta investim në Preshevë është ndërtimi i një Medreseje nga qeveria turke, ndërsa në pjesë të tjera të Serbisë firmat turke po hapin fabrika.

Riza Halimi është një veteran i politikës së Luginës se Preshevës. Ai drejton Partinë për Veprim Demokratik dhe përgjigjet në intervistë i fillon me referenca kohore që duken të harruara. Përmend Fehmi Aganin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili përherë me këshillat e tij kujdesej për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmend kërkesën e Luginës për bashkim me Kosovën që u shpreh në fillim të viteve ’90, përmend diskriminimin e përhershëm të autoriteteve serbe. Për shembull: pushteti serb ka ndikuar të ndryshohet abetarja për nxënësit shqiptarë. Te shkronja «F» ishte përshkruar flamuri (shqiptar). Kjo nuk i ka pëlqyer Serbisë, andaj flamurin e ka zëvendësuar me fluturën. Autoritetet serbe kanë bllokuar sjelljen e teksteve mësimore nga Kosova në Serbi.

Duke pasur parasysh këto përvoja, edhe Riza Halimi është i befasuar me kërkesën gati të çdoditshme të Hashim Thaçit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Halimi kërkon që për këtë temë, më në fund, të flasë parlamenti i Kosovës. Fjalët e Thaçit me gjasë ngjallin vetëm dyshime mbi motivet e tij. Më pak se Thaçit njerëzit në Luginën e Preshevës i besojnë llafeve të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili thotë se Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, por Kosova nuk ia jep veriun Serbisë. A është kjo tallje, cinizëm apo gjeostrategji? Me gjasë asgjë nga këto, por vetëm politikë e përditshme bajate e politikanëve të Kosovës, të cilët flasin për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, i çojnë mesazhe Serbisë se «nuk do të ndalemi deri në Nish» (Kadri Veseli) dhe kërcënojnë se ndarja nuk mund të ndodhë pa e marrë Kosova Sanxhakun dhe Luginën e Preshevës (një funksionar i PDK-së së Thaçit). Një arsye përse politikanët në Preshevë kërkojnë që parlamenti i Kosovës të flasë për Luginën, është edhe autoriteti i kontestuar i Thaçit në Kosovë. Për dallim nga Thaçi, Vuçiqi është i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli. Me banorët e Luginës së Preshevës nuk është zhvilluar kurrfarë debati thelbësor mbi të ardhmen e tyre. Duket se Thaçi e ka mandatuar veten për të folur mbi fatin e banorëve të Luginës dhe me këtë përpjekje të tij nuk janë të lumtur shumica e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Arsim Ejupi, një gjeograf i specializuar në Zagreb dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse zgjidhja që mund të arrijnë Vuçiqi me Thaçin nënkupton që Kosova të marrë disa fshatra të malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, atëherë Lugina rrezikon të zbrazet. Mbi dhjetë fshatra të Preshevës dhe Bujanocit gjenden përtej vijës hekurudhore dhe autostradës, e cila njihet si «Korridori Paneuropian 10». Vetëm fshati Bilaç ka 3000 banorë. Çfarë do të bëhet me këta njerëz nëse vetëm një copë e vogël e Luginës së Preshevës i bashkohet Kosovës? Çfarë do të bëhet me fshatrat serbe Llopardincë apo Srpska Kuća të komunës së Bujanocit, të cilat gjenden këndej autostradës dhe hekurudhës? Askush nuk e di.

Ka zëra jo aq të besueshëm që thonë se Serbia mund ta devijojë autostradën dhe hekurudhën te Manastri i Prohor Pčinjskit për t’u lidhur me Maqedoninë dhe pastaj Kosova mund të shtrihet edhe përtej autostradës, por kjo do të arrihej vetëm nëse në Prishtinë ka pajtueshmëri që veriu i Kosovës në tërësi t’i jepet Serbisë, përfshirë minierat e Trepçës dhe Liqenin e Gazivodës. Por, a do të pajtohet Serbia nëse kufiri i ardhshëm i saj me Kosovën të jetë në lumin Ibër në zemër të Mitrovicës? Apo do të kërkojë një korridor që do të lidhë Mitrovicën (serbe) të veriut me fshatra serbe në Klinë e Pejë për të vazhduar drejt Manastirit të Deçanit? Nëse në Kosovë kufijtë vendosen sipas vijave etnike, përse një gjë e tillë të mos vlejë atëherë edhe për Maqedoninë? Apo për serbët e Bosnjës? Njëherë Thaçi me sejmenët e tij po flasin për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Dhe ky projekt është aq serioz, saqë presidenti i Kosovës sot thotë se «urra, do ta marrim Preshevën», ndërsa nesër thotë: «Bashkimi i Luginës me Kosovën është pothuaj i pamundshëm». Këto deklarata vetëm i frikësojnë banorët e Luginës së Preshevës. Ose i shtyjnë të bëjnë humor. Humor të zi. A mund të jetë retorika për bashkimin e Luginës me Kosovën vetëm mashtrim për të kontrabanduar bashkësinë e komunave serbe si një lloj Republike Serbe brenda shtetit të Kosovës? Sidoqoftë, Kosova dhe Lugina e Preshevës kanë nevojë urgjente për një debat serioz mbi të ardhmen. Në këtë debat duhet të kyçet Kuvendi i Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, mediat e Prishtinës. Sepse kjo çështje nuk i përket vetëm presidentit të Kosovës, sepse Lugina e Preshevës nuk është arë e Hashim Thaçit.

Baby Boo