Lufta kundër korrupsionit, Bertolini: Nisni betejën e fuqishme dhe intensive


Korrupsioni akoma mbetet një nga pikat e dobëta të shoqërisë sonë. Një anketë e realizuar nga QMBNJ tregon se 36% e qytetarëve të anketuar u është kërkuar të paktën një herë mito për ndonjë çështje të caktuar, 31% kanë dhënë mito dhe shumë pak prej tyre kanë dashur të lajmërojnë këto raste korruptive, njofton “TVM2”.

Lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet është një ndër kushtet që Maqedonia duhet të përmbushë deri qershorin e ardhshëm për të filluar negociatat parainkuadruese me BE-në. Nga misioni i BE-së në Shkup inkurajojnë autoritetet të vazhdojnë fuqishëm luftën kundër korrupsionit, por në këtë luftë të kyçin edhe sektorin civil.

“Ne deri më tani kemi qenë shumë të fuqishëm dhe të ashpër për t’i dhënë qeverive të vendit tuaj përkrahje në luftën kundër korrupsionit. Por, tani kur Maqedonia ka filluar dhe është edhe më afër BE-së, ne dhe ju së bashku do të duhet të jemi edhe më të fuqishëm dhe më intensiv në këtë betejë. Prandaj më duhet të them se roli si Sektorit Civil dhe i Organizatave Joqeveritare në këtë betejë do të jetë një ndihmesë e madhe për ne, por edhe për institucionet e vendit tuaj”,- deklaroi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Nikolla Bertolini.

RISTOVSKI: PUNOJMË PËR REFORMAT DHE NDRYSHIMET LIGJORE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski, theksoi se Qeveria është tërësisht e përkushtuar në parandalimin e korrupsionit dhe se për këtë qëllim bëhen edhe ndryshime ligjore.

“Komisioni Europian disa herë ka apeluar për reforma në Komisionin Antikorrupsion. Ministria e Drejtësisë fuqishëm është angazhuar për ta luftuar dhe për ta përkrah luftën kundër korrupsionit dhe për këtë qëllim kemi ndërtuar edhe grupet për përgatitje të propozim ligjit të ri për parandalim të korrupsionit, ku priten të reformohet sistemi i punës dhe kuadrove punuese në institucionin e antikorrupsionit”,- tha zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski.

Qëndrimet e tilla u dhanë në konferencën kushtuar Konventës së OKB-së kundër korrupsionit dhe integritetit, transparencës dhe politikave preventive anti-korruptuese, me të cilën fillon projekti për luftën kundër korrupsionit.

Baby Boo