“Luboteni si në luftë”, shtatë orë nën rrethim të policisë, ja detajet (Video)


Fshati Luboten gjatë ditës së sotme ka qenë i bllokuar nga policia për rreth 7 orë. Gjithçka ka filluar që në orën pesë të mëngjesit, kur policia me autoblinda ka ndaluar në Luboten dhe ka nisur aksionin e madh policor, me qëllim konfiskimin e duhanit. Aksioni policor ka përfshirë disa shtëpi, ndërkaq i gjithë fshati ka qenë i rrethuar me policë, raporton SHENJA.

Banorët e Lubotenit, të mbledhur nëpër disa pika të fshatit, rezistuan për disa orë që policia financiare të mos e merr, siç thonin ata, kafshatën e tyre të gojës. Ata bllokuan hyrjet e fshatit, për të penguar kështu policinë që të largohet me duhanin, për të cilin thonë se kanë punuar me vite.

“Ne e punojmë këtë punë, me këtë hamë, me fëmijë me të gjithë. I gjithë fshati prej kësaj varemi. Këta vijnë në mëngjes, e thejnë derën, hyjnë brenda, frikësojnë fëmijët. Kjo ka ndodh në pesë e gjysë, në pesë, as nuk kanë thirrë as asgjë, vetëm e ka goditur derën edhe e thyen.”

“Me pas thirrë, ua kisha çelë derën, nuk është asgjë kjo. Edhe luft nuk kemi pas me bo. Me të mirë me pas thirrë, ua kisha hapë derën, hyni brenda. Unë e di se ky shtet është për milet për insan, jo me mbyt insan. Edhe dhunë përdorin. ”

“Na në këtë shtet jetojmë, pse të vijnë të na i trembin fëmijët. Ka gra shtatëzëna,e humbin fëmijën, kush e paguan atë. çfarë është kjo.. Në pikë të natës vijnë të bastisin, çfarë është kjo , a luftë është a çfarë është… Valla e kanë rrethu krejt fshatin. ”

“A është në rregull kjo, a është në rregull me ardh sikur me i pas dal ne me armatim përball. 600 shpi fshati, krejt fshati varemi prej këtyre makinave. As miliona, as tendera, asgjë nuk bëjmë. Na këtë duhan me fëmijë e punojmë, me fëmijë 5 vjet, duke e mbledh te ara. ”

“Porosia jonë është, ne punësime nuk kemi asnjë. Mund të jetë dikush me 9000 denarë, le të ma jep postin e vetë, unë po hy po punoj, dal edhe unë si ky me bo aksione, me marr votat prej neve, edhe tash vijnë na bllokojnë, ne s’kemi ku me shku, këtë e kemi. ”

Në një moment situata u tensionua kur filloi përleshja verbale mes policisë dhe banorëve të fshatit. Banorët e Lubotenit bënë rezistencë dhe nuk donin të lejojnë policinë që të merr duhanin.

Banorët të revoltuar thonë se partitë politike nuk u kanë dalë në ndihmë atyre, duke nënvizuar se ata vizitojnë këtë fshat, vetëm kur kërkojnë mbledhjen e votave.

“Gjithnjë kur kanë ardh me kërku vota, në fshatin Luboten kanë marrë nga 2500 vota, fshati Luboten i ka prit si i ka hijë një fshati…. Kur kanë ardh me marrë vota i kemi prit me ëmbëlsira….. I faleminderoj shumë të partisë se shumë na kanë ndihmu në këto gjëra, se gjithmonë kur po i presim mirë po na i kthejnë kështu, me hermelina me tanka e gjëra të tjera. ”

“ Kur erdha këtu më thanë mos lëviz, rri aty, djalin e kanë marrë nalt, e kanë shtri e kanë dërgu te vetura me kontrollu veturën… Brenda kohës na jepni dokumentat e shtëpisë, na thanë kemi hyrë gabim, na falni. As një send nuk e kanë gjetë, as një kuti cigare nuk e kanë gjetë… ”

Kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevski tha se për aksionin policor ai është njoftuar nga banorët e Butelit.

Velimir Smilevski, kryetar i komunës së Butelit
“Kemi vërtetuar se aksionin policor është duke e udhëhequr policia financiare për grumbullimin e duhanit jolegale që e kanë banorët nëpër shtëpitë e tyre. Por unë me bindje e them se nuk është jolegal, por është fituar me atë që e tërë familja për gjatë vitit e ka punuar dhe për këtë janë informuar gjithë institucionet në shtet. Shpresojmë që sa më shpejtë të përfundojë kjo golgotë e popullit dhe do të zgjidhim nëpërmjet institucioneve juridike”

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Lubetenit, Rexhep Imeri, dërgoi një porosi për kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. Ai tha se kur ishte nevoja për ta ndihmuar atë, i dolën në ndihmë, ndërsa tani, ai po ua merr kafshatën e gojës.

Rexhep Imeri, Kryetar i Bashkësisë Lokale të Lubotenit
“Kemi dalë për ta ndihmuar. Sot ai jep një urdhër, andaj kërkoj në mënyrë publike nga Zoran Zaev dhe Spasovski se ata i kanë një hak të madhe këtyre banorëve, të u kërkojnë falje dhe ta kthejnë duhanin e konfiskuar ngase ky duhan është kultivuar në mënyrë të ndershme dhe është legal. Le ta kthejnë kafshatën e gojës që ua kanë marrë banorëve”

Si përfundim, pas 7 orëve rezistencë, policia financiare arriti që të mbledh të gjithë duhanin nëpër shtëpitë ku kanë hyrë, ndërsa kamionë të shumtë të policisë, u larguan nga fshati, duke i lënë banorët me shpresë që pas rezultateve të analizës, duhani t’u kthehet përsëri atyre.

 

Baby Boo