Lubonja fajëson RENEA-n, shfajëson ekstremistët grekë


Analisti Fatos Lubonja ka bërë një shkrim për ngjarjen e Bularatit, të botuar në Gazetën Panorama.
Në shkrimin e tij, Lubonja hedh akuza të rënda ndaj forcave Speciale RENEA, kur jep vetëm dy alternativa për vrasjen e Konstantinos Kacifas: 1. “RENEA mori ndonjë urdhër më nga lart për ta vrarë”, apo 2. “e vranë ashtu, për qejf, me kokën e tyre”. Në fakt, ndërhyrja e RENEA-s, që janë forcat më elitare policore të Shqipërisë, kërkohet kur situata ka dalë jashtë kontrollit, dhe kur rrezikohet jeta e qytetarëve dhe uniformave blu, kur kemi të bëjmë me një element të armatosur. I tillë ishte edhe ekstremisti grek, 35-vjeçari Kacifas, i cili kishte ngritur armën kundër Policisë së Shtetit duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

“Pse Kaçifasi nuk u kap pa u vrarë dhe të shkonte të përgjigjej përpara drejtësisë, sepse, me aq sa dimë, ky ka qëlluar në ajër e drejt Policisë jo aq për të vrarë sesa për të shprehur një mllef dhe pastaj ka marrë arratinë për të shpëtuar nga ndjekja prej trupave të Reneas, që u thirrën nga Policia. A nuk do të ishte kapja e tij gjallë, në respekt të jetës njerëzore, por edhe të ligjit të moskapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe pastaj çuarja e tij përpara drejtësisë, urtësia dhe dinjiteti i vërtetë që duhet të tregojë shteti që duam dhe jo dhuna ekstreme ndaj më të dobëtit dhe pastaj zbythja nga më i forti?“, shkruan analisti Fatos Lubonja për “Panorama”, duke harruar se një armë kallshnikovi në duart e një personi të pakontrolluar që guxon edhe qëllon edhe ndaj forcave të policisë, është një rrezik potencial për shkaktimin e tragjedive të mëdha.

Forcat RENEA në këtë rast, shohin pikërisht me sytë e rrezikut!…as me të përkatësisë etnike, politike, krahinore a çfarëdo. Përballë tyre ishte një qytetar i armatosur që po rrezikonte jetë njerëzish dhe që nuk ju bind thirrjes së uniformave blu për tu dorëzuar. Në çdo vend të botës, cilido qytetar, i cfarëdo ngjyre dhe etnie, nëse godet forcat e rendit, ekzekutohet. Kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me kombësinë, por me ligjet e një shteti. Dhe mbi të gjitha, djemtë e RENEA-s, janë bij nënash, që mund të vriteshin nga plumbat e Kacifasit.

Së dyti, analisti Fatos Lubonja, kërkon që shqiptarët të mos urrejnë minoritarët, por të mundohen të gjejnë arsye, dhe ndoshta edhe fajet brenda vetes, se çfarë e shtyu Kacifasin që të bëjë atë gjest në fshatin e vogël minoritar të Gjirokastrës. Madje, Lubonja kapërcen çdo kufi kur justifikon urrerjen që minoritarët grekë kanë ndaj shqiptarëve. “Përderisa vetë shqiptarët i urrejnë e i luftojnë kaq shumë shqiptarët, nuk duhet të çuditemi kur shohim ndër minoritarët grekë edhe nga ata që jo vetëm nuk na duan, por edhe ëndërrojnë që territori i tyre të bëhet Greqi?”, shprehet ai.

Por ndryshe nga gërmat e shkruara nga Lubonja, shqiptarët nuk kanë asnjë urrejtje ndaj minoritarëve. Madje deri më tani bashkëjetesa mes tyre është e pacënuar. Në Bularat të Gjirokastrës, nuk ka ndodhur asnjëherë asnjë përplasje mes minoritetit grek dhe shqiptarëve…Dhe as nuk kanë për të ndodhur, sepse mes shqiptarëve dhe minoritarëve nuk ka urrejtje. Deri ditën ku Kacifas u ngrit i armatosur duke tentuar të shkaktojë kasaphanë, gjithçka ishte në normalitet. Siç vijon edhe tashmë pas vdekjes së tij. Dhe është pikërisht kjo pjesa ku ka nevojë të vihet theksi. Nuk mund të futen të gjithë në një thes! Nuk mund të futen në të njëjtin thes urrejtjeje që flet Lubonja, minoritarët e ndershëm, të paqtë, e fort të dashur, me një pakicë ekstremiste që nuk përfaqëson asgjë. Në fakt Kacifas nuk përfaqeson asgjë nga minoriteti, përfaqëson disa ekstremistë dhe ai nuk u vra duke mbajtur në shpatulla asnjë “veshje” tjetër, veç asaj të një personi që qëlloi i pabindur për tu dorëzuar ndaj policisë!

Më tej në analizën e tij, Lubonja është munduar të “fshehë” goditjen e tij të drejtëpërdrejtë ndaj popullit shqiptar, duke u kamufluar me kritikat që reshton ndaj kryeministrit Edi Rama. Por në fakt, kjo çështje nuk i përket aspak flamurit partiak, por atij kombëtar. Dhe në raste të tilla që lidhen me çështjen kombëtare të gjithë duhet të jenë unikë e jo me dredha sepse në këtë pikë nuk ka as Ramë, Berishë apo Bashë, por simbole kombëtare. E simbolet kombëtare janë mbi ato partiake.

” Them se akti i Kaçifasit dhe mbështetja që ai gjeti te minoritarët duhet të na bëjë të mendojmë një çikë më shumë se çfarë Shqipërie kemi bërë ne për veten, por edhe për minoritarët grekë, që janë, edhe ata, shtetas shqiptarë. Dhe po të thellohemi sadopak, nuk mund të mos na vijë në mendje fakti se 52% e shqiptarëve duan të shkojnë jashtë, pasi në vendin tonë jeta është bërë gjithnjë e më e padurueshme për shkak të bandave kriminale të veshura me pushtet politik që na qeverisin. Mos vallë, atëherë, përderisa vetë shqiptarët i urrejnë e i luftojnë kaq shumë shqiptarët, nuk duhet të çuditemi kur shohim ndër minoritarët grekë edhe nga ata që jo vetëm nuk na duan, por edhe ëndërrojnë që territori i tyre të bëhet Greqi? Dhe ja ku shfaqet skizofrenia e parë: në vend se të reflektojnë mbi gjithë këtë problematikë, shumë nga ata shqiptarë që thonë se Shqipëria nuk bëhet me njerëz si Edi Rama e me kriminelët që e rrethojnë, ulërasin kundër minoritarëve grekë, që i urryekan shqiptarët, edhe pse atyre u paskemi krijuar kushtet optimale të jetës. Jo vetëm, por sa lehtësisht manipulohen për të pranuar si udhëheqës të kësaj ndjenje urrejtjeje identitare atë që urrejnë edhe vetë Edi Ramën! Pak më shumë reflektim të dashur bashkatdhetarë. Mos vallë patriotizmi nuk është vetëmburrja dhe urrejtja për të tjerët, por puna për të ndërtuar një shtet serioz që punon për ne, përfshirë dhe minoritarët grekë, dhe jo për hajdutët dhe kriminelët?“, shkruan Lubonja.

Lubonja ngre kritika edhe për mënyrën se si mediat paraqitën figurën e Konstantinos Kacifas, dhe veçanërisht, imazhin e tij vetëm me rroba ushtarake. Lubonja ndoshta harron që vetë 35-vjeçari në aktin e tij të dhunshëm në fshatin Bularat, ishte i veshur me uniformë ushtarake, sepse mesazhi që vetë ai donte të përcillte, ishte përtej një qytetari të thjeshtë të revoltuar…Por një minoritari që bërtiste me të madhe “Epiri i Veriut është Greqi”.

Kur ndodhi vrasja e Kaçifasit, Kryeministri ynë dhe shumë që e pasuan, jo vetëm nuk u ndalën sadopak për të reflektuar sa më sipër thashë, por nuk shprehën asnjë rezervë për aktin e vrasjes së këtij personi. Për ta bërë sa më armik, Kaçifasi u paraqit nëpër media i veshur vetëm me një rrobë, atë ushtarake, (në fakt me atë vdiq) sikur të donin t’ia zhvishnin anën e tij njerëzore dhe askush nuk kërkoi të mësojë diçka më shumë jo vetëm se çfarë e ka çuar atë tek urrejtja, por as rrethanat e ngjarjes, as nëse ata të Reneas morën ndonjë urdhër më nga lart për ta vrarë apo e vranë ashtu, për qejf, me kokën e tyre. Vrasja thjesht u brohorit me krenarinë kombëtare se jemi edhe ne të fortë e s’mund të lejojmë të na provokojë kështu një grek, se ia treguam vendin “grekut të m…”; se boll shqiptarë na kanë vrarë ata në Greqi”, thotë Lubonja.
Në fakt, në një mendim që bie ndesh me çka prezanton gjatë analizës së tij, për reagimin e dhunshëm sipas tij, të shqiptarëve ndaj Kacifasit, Lubonja kritikon më tej faktin që Shqipëria nuk ra pre e provokimeve që ekstremistët greke bënë ditën e varrimit të Kacifasit në Bularat me thirrje antishqiptare.

“Pastaj erdhi reagimi i politikanëve grekë si dhe ai me ngjarjen e varrimit me parullat e papranueshme antishqiptare dhe brenda pak ditësh po të njëjtët mburracakë të krenarisë së dhunës filluan të sillen si mburracakë të krenarisë së urtësisë që filluan të thonë: treguam epërsinë e madhe ndaj grekëve, duke mos rënë pre e provokimeve të tyre“, thotë analisti.

Në fund të argumenteve të tij analitikë, Lubonja hedh akuza edhe më të rënda ndaj forcave speciale, si për të mbështetur qëndrimin e tij se Kacifasi nuk duhej vrarë edhe pse qëlloi ndaj policisë. Ai thotë se shqiptarët nuk duhet të habiten kur një ditë, RENEA të dalë të vrasë edhe protestuesit, siç janë qytetarët që po ngrënë zërin prej ditësh kundër qeverisë, për shtëpitë e tyre në zonën e “Astirit” që do të shemben nga projekti i Unazës së Madhe.

“Shembullin më të freskët e keni këto ditë tek ajo që po ndodh me planin kriminal të shembjes së shtëpive dhe dyqaneve të banorëve tek “Astiri”. Mos kujtoni se kjo histori nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Bularat dhe mos u çuditni nëse nesër ju ndodh që, teksa protestoni paksa dhunshëm, të vijë Renea dhe t’ju vrasë me plumb pa e vrarë mendjen aspak për respektin ndaj jetës njerëzore dhe të ligjit mbi moskapërcimin e mbrojtjes së nevojshme“, përfundon Lubonja.

Së fundi, është e çuditshme, dhe nuk dihet për çfarë arsyesh, disa prej analistëve shqiptarë, duan të shkojnë kundër rrymës, për çështje që lidhen me kombin, për çështje që të gjithë njëzëri duhej të thonim: Jemi një! /RealNews

Baby Boo