Lojtari që zgjedh lirinë ndaj konformizmit me të jashtmen e këmbës së tij


Nga Barney Ronay, The Guardian

Ishte një moment të hënën në mbrëmje në Kazan, teksa Ricardo Quaresma depërtoi nga krahu i djathtë dhe drejt portës së Iranit, për të bërë atë që të gjithë ne e dinim që do të bënte. Jose Mourinho duhet ta ketë pritur gjithashtu atë moment. “Quaresma duhet të mësojë, përndryshe nuk do të luajë”, i ka thënë Mou gazetarëve 10 vite më parë, kur Quaresma ishte një nga lojtarët e tij tek Inter. “Jam i sigurt se ai do të ndryshojë dhe do të bëhet një lojtar më i disiplinuar. Për momentin, atij i pëlqen të godasë topin me të jashtmen e këmbës”.

10 vite më pas dhe Quaresma nuk ka ndryshuar akoma, nuk ka mësuar akoma. Ai bëri gjuajtjen e tij të përhershme dhe e dërgoi topin atje ku portieri i Iranit nuk mund të arrinte. Në Portugali e quajnë këtë goditje “trivela”, që i jep topit një hark dhe efekt të veçantë, duke e bërë të vështirë për t’u ndalur nga portierët. Problemi kryesor i “trivela”-s është se shpesh i bashkëngjitet lojtarëve që përdorin vetëm një këmbë dhe atyre që janë të talentuar, por përtacë.

Edhe pse mund të duket e çuditshme, “trivela” është kthyer në njëfarë arti që mund të gjendet vetëm në tregun e zi. Rafa Benitez i kërkoi Luka Modric-it të mos e përdorte më kur ishte te Real Madrid. Lojtarët e akademive elitare të futbollit mësohen që as të mos e çojnë nëpër mend të merren me një “pisllëk” të tillë, por të bëhen lojtarë që dinë t’i përdorin të dyja këmbët dhe të bëjnë pasime nga çdo kënd i mundshëm i fushës. “Trivela”, me pak fjalë, është kthyer në diçka të ndaluar, anatema e idesë se kolektivit, e kontrollimit dhe menaxhimit të natyrës njerëzore.

Një shkrim i tërë për goditjen me të jashtmen e këmbës: askush nuk ka për ta lexuar, ka thënë çdo drejtor gazete. Por ata do ta lexojnë, sepse të gjithë e adhurojnë “trivela”-n. Lojtarët që ju keni adhuruar gjatë viteve, kanë adhuruar ta bëjnë një gjë të tillë. Dragan Stojkovic, legjendë e futbollit serb, ka publikuar video në YouTube që i përkushtohen vetëm “trivela”-s. Një njeri që e ka interpretuar të gjithë botën nëpërmjet këmbës së tij të djathtë. Lajmi i mirë është se “trivela” është kthyer. Ose të paktën, është kthyer në Kupën e Botës.

Denis Cheryshev ka shënuar një gol të bukur nga jashtë zone me të jashtmen e të majtës së tij në ndeshjen e parë të Rusisë në grup. Kundër Islandës, Modric dhuroi një krosim të mrekullueshëm me “trivela”-n, me topin që dukej se do të qëndronte përgjithmonë në ajër. Më pas vjen edhe goditja e Quaresma-s. Në Kazan, mbrojtja e Iran-it e la të vraponte nga brenda, ndoshta duke mos parë asnjë rrezik tek e djathta e portugezit dhe duke menduar se ai do të bënte atë që mësohet në akademitë elitare të futbollit. Problemi është se Quaresma nuk është nga ata që i bën gjërat sipas rregullave. Më herët në karrierën e tij, kur ishte te Sporting Lisbon, ai dukej se do të formonte një dyshe të pandalshme me Cristiano Ronaldo-n.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe ai është përshkruar nga shtypi si “Ronaldo i Keq”, një lojtar që nuk arriti ta shfrytëzonte në maksimum talentin e tij dhe t’i afrohej CR7-ës, idesë së futbollistit si një makineri golash dhe triumfesh. Në moshën 19 vjeç, ai vendosi të mos luante më për Barcelona-n, sepse nuk po i jepej liria për t’u shprehur ashtu siç donte ai në fushën e lojës. Në 2012-ën, ai u largua nga Besiktas pasi goditi me disa shishe uji Carlos Carvajal pas një debati. Më pas, u kthye si hero te Porto dhe te Besiktas. Një lulëzim i vonshëm pasoi dhe dy vite më parë ai bëri një paraqitje të disiplinuar, duke ndihmuar Portugalinë të fitonte Europianin.

Ndoshta mund të nxjerrim një mësim këtu. Rregullat janë shumë të qarta. Kur bëhet fjalë për nivelet më të larta të futbollit, mund të jesh një lojtar që luan vetëm me një këmbë, nëse kjo këmbë është hyjnore. Siç ishte e majta e Maradona-s ose këmbët e lojtarëve të Brazilit të viteve të arta. Futbolli modern nuk e pëlqen këtë. Klubet elitare janë shumë kërkues, vende ku lojtarëve u jepen nota dhe ku rolet e tyre janë të programuar. Nuk ka më hapësira. Statsitikat mbi kompletimin e pasimeve dhe rikuperimin ose ruajtjen e topit janë pikat më të rëndësishme. Nuk ka kohë.

Duhet të përsëritet e njëjta gjë gjithmonë dhe mjaft më me “trivela”-n. Kjo ngurtësi mund të shpjegojë pse ne kemi shijuar një Botëror më të çliruar, siç nuk ndodhte prej shumë kohësh. Në fund të fundit, kështu duhet të jetë një Kupë Bote në kohët e sotme, një vitrinë për guximtarët dhe për ata që mendojnë ndryshe, një ekran për imagjinatën.

Gjatë minutave të fundit të fitores së arritur nga Kolumbia kundër Polonisë ka ardhur një tjetër moment i bukur, me James Rodriguez që filloi të tregonte aftësitë e tija teknike, para se të jepte pasimin më spektakolar me të jashtmen përmes fushës. Duke parë se erdhi nga një njeri që e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një klubi elitar, ajo “trivela” kishte një domethënie të veçantë. Ishte një veprim që nuk kishte lidhje me kontrollin dhe disiplinën, por me diçka lehtësuese dhe çliruese. Një formë lirie.

Baby Boo