Lladrovci: Nënat mos i zini në gojë për fushata se ju zë mallkimi i tyre!


Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar heroin Shkëlzen Haradinajn, duke potencuar se ai personifikonte tërë dhuntinë e çlirimtarit që barte tërë pezmin shekullor ndaj armikut, tërë guximin, dijen e trimërinë e cila kishte zgjedhur rrugën e lirisë me tërë dashurinë për çlirimin e atdheut.

Lladrovci ka cekur po ashtu se “sot, në përkujtim të Shkëlzen legjendarit, ndjehem i lënduar nga politika e cila fare nuk e njeh historinë tonë të re, politikë e cila nuk e ndjen dhimbjen e nënave tona, as mundin e tyre. Përgjegjësia është individuale, nënat mos i zini në gojë për fushata se ju zë mallkimi i tyre”.

Ja postimi i plotë i Lladrovcit:

Në këtë përvjetor të 21-të, për heroin Shkëlzen Haradinaj, dua të shpreh si gjithmonë, respektin e thellë për të dhe tërë familjen e të ndjerit Bacës Hilmi dhe Haradinajt e Gllogjanit.

Lufta jonë çlirimtare ishte më shumë se luftë që filloi me Jasharajt legjendar. Ishte luftë e panjohur deri më tash për nga suksesi, kur dihet, shtypja gati njëshekullore e Serbisë kundër kombit tonë. Në këtë përplasje, individët në familje, zakonisht, kishin mbështetjen e pa rezervë të tërë familjarëve të ngushtë e të gjerë, por edhe të gjithë atdhetarëve në ish Jugosllavi e më gjerë. Fronti ishte i hapur, edhe për nënat e baballarët e disa politikanëve që sot shesin moral për lirinë.

Shkëlzeni para 21 vitesh, kaloi në amshim, ku në Panteonin e lirisë, është bashkë me Luanin e Enverin, dhe mijëra heronj, dëshmorë e martirë, andaj, dua ta vlerësoj tërë familjen Haradinaj, të cilët u bënë shembull si duhet e si mbrohet atdheu. Ky është shembull se si tërë familja, hidhet në flakë për liri, për çlirim.

Në këtë luftë të nisur nga viganët e çlirimit, Ademi, Hamza me shokë, iu bashkuan, më të mirët e kombit. Besoj se secili duhet të ishte përtej idealisti, për ta besuar realizimin e qëllimin final aq shpejtë, çlirimin nga kthetrat e Serbisë të numëruar me muaj.

Sot, dua ta kujtoj me krenari Shkëlzen legjendarin, i cili personifikonte tërë dhuntinë e çlirimtarit që bartte tërë pezmin shekullor ndaj armikut, tërë guximin, dijen e trimërinë e cila kishte zgjedhur rrugën e lirisë me tërë dashurinë për çlirimin e atdheut.

Sot, në përkujtim të Shkëlzen legjendarit, ndjehem i lënduar nga politika e cila fare nuk e njeh historinë tonë të re, politikë e cila nuk e ndjen dhimbjen e nënave tona, as mundin e tyre. Përgjegjësia është individuale, nënat mos i zini në gojë për fushata se ju zë mallkimi i tyre.

Lavdi e përjetshme heroit Shkëlzen Haradinaj!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Baby Boo