Liverpool “pa” portier, Reali prek kupën!


Reali i Madridit sërish në avantazh ndaj Liverpool në finalen e madhe të Champions League, por këtë herë jo më me një gafë të kundërshtarëve, por me anë të një supergoli të shënuar nga Gareth Bale.

Kishte pak momente që ishte futur në fushën e lojës, kur arriti të realizonte një roveshatë të ngjashme me atë të Ronaldos ndaj Juventusit, duke shënuar golin e dytë për madrilenët.

Goli i parë i Realit u shënua nga Benzema, i cili përfitoi nga një gabim fatal i portierit të Liverpool. Në një tentativë për ta pasur topin te një nga shokët e tij, portieri Karius e përplas në këmbët e franzezit dhe më pas përfundon në rrjetë.

Por vetëm 5 minuta më pas, Liverpool reagon dhe Mane barazon rezultatin në 1-1.

Ishte lojtari nga i cili anglezët prisnin më shumë, por Salah la fushën e lojës në minutën e 30-të mes lotëve. Një përplasje me mbrojtësin Ramos e la të dëmtuar egjiptianin. Pavarësisht ndihmës së parë, Salah nuk mundi të vazhdojë të luajë në finalen e madhe të Champions League.

Vetëm pak minuta më pas, të njëjtin fat pati mbrojtësi i Realit Carvajal.

Liverpooli e nisi mirë ndeshjen duke bërë presion në 10 minutat e para në zonën e Realit të Madridit, por pa arritur të vërë në vështirësi portierin madrilen.

Ndërkohë, ishte pikërisht Ronaldo, madrileni i cili rrezikoi i pari në portën e Liverpoolit. Portugezi pati një mundësi të mirë në minutën e 15 duke lëshuar një diagonale të rrezikshme, por goditja e tij përfundoi vetëm pak mbi traversë.

Por minutat e fundit të pjesës së parë i takuan Realit të Madridit, të cilët krijuan disa raste, madje edhe shënuan me Benzema, por goli i francezit u anulua për pozicion jashtë loje.

Baby Boo