Liria e mediave, “Freedom House”: Maqedonia mbetet vend pjesërisht i lirë


Në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, “Freedom House” publikoi raportin e fundit, në të cilin potencon se liria e medias po përballet me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet opresive, ku autoritetet po përqendrojnë përpjekjet e tyre tek mediat sociale dhe platformat e tjera në internet, pas goditjes së pavarësisë së mediave tradicionale. Në këtë raport, Maqedonia edhe më tej mbetet në mesin e vendeve me liri të pjesshme.
“Reporterët pa kufij”, madje, e radhisin vendin tonë në vendin e 109, për sa i përket lirisë së shprehjes, vetëm dy vende më mirë se një vit më parë. Edhe Shqipëria dhe Kosova janë vendet ku liria e mediave është pjesërisht e lirë, por shumë më mirë të ranguara se vendi ynë, me vendin e 75 dhe 78. Afërsisht si ne radhitet Mali i Zi, me vendin e 109, por të gjitha vendet e Ballkanit janë larg Kroacisë, e cila është në vendin e 68, madje edhe larg Serbisë, që është vlerësuar vend i lirë sa i përket lirisë së mediave.
“Freedom House” ka analizuar gjendjen duke u mbështetur në raportet e tij për Lirinë në Botë, Vendet në Tranzicion dhe Lirinë në Internet, sipas së cilës pavarësia e medias është nën trysni në çdo rajon të botës. 71 vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim, duke vulosur vitin e 12 radhazi të reduktimit të lirisë globale.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga roli tradicional si kampion dhe një shembull i demokracisë në mes të një rënieje të përshpejtuar të të drejtave politike dhe lirive civile. Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mes vendeve jo të lira.
Baby Boo