Liderët politikë në përpjekje të re për Ligjin për Prokurorinë

Të martën, në kuadër të takimit në nivel të liderëve të partive politike kryesore parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të bëhet përpjekje për të arritur ujdi rreth Ligjit për Prokurori Publike, me këtë dhe zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, për mediat e vendit ka theksuar se do të marrë pjesë në këtë takim ku do të diskutohet mundësia për arritjen e ujdisë për Prokurorinë Themelore Publike, pasi siç ka thënë në këtë takim, krahas ligjit që rregullon punën e Prokurorisë do të diskutohet dhe për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Njohësit e çështjeve politike besojnë se liderët politikë mund të arrijnë marrëveshje për Ligjin për punën e Prokurorisë, megjithatë vendimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të merret pas vendimit të Brukselit në tetor për caktimin e datës ose jo për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.

“Ulja në një tryezë të përbashkët e liderëve politikë për të biseduar çështje që janë me interes për shtetin i shërben demokratizmit të vendit. Por, a do të arrihet marrëveshje në bazë të kushteve që i dikton VMRO-DPMNE si parti kryesore në opozitë, duke marrë parasysh forcën e tyre, nuk besoj se kryeministri Zoran Zaev do të jetë i kushtëzuar në atë masë që të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare në këmbim të mbështetjes së Ligjit për punën e Prokurorisë”.

“Vendimi për zgjedhje të parakohshme mund të merret vetëm nëse vlerësohet se kjo është në të mirë për zhvillimet në shoqërinë tonë, megjithatë ky vendim nuk do të merret para vendimit të Këshillit Evropian rreth caktimit të datës për fillimin e bisedimeve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike.

Ligji për Prokurorinë Themelore Publike si dhe demonstrimi në praktikë se funksionon shteti ligjor duke pasur si pikë referimi zbardhjen e tërësishme të rastit “Reket”, paraqesin çelësin kryesor për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.