Lëvizja Anti-bixhoz: BDI dha garancë se nuk do të ndërtohen kazino më afër se 3 kilometra


Lëvizja Anti-bixhoz nga Tetova në konferencë për media njoftoi se kazinotë që kanë filluar me ndërtim të objektit, shumë shpejtë do të çmontohen për shkak se ata ndërtohen në kundërshtim me ligjin, gjithashtu njoftojnë se presin të zbulohet se nga kush mbështeten personat që vazhdojnë punimet.

“Ia bëjmë me dije opinionit dhe të gjithëve se kjo kazino nuk do të hapet dhe ashtu si i kanë montuar, shumë shpejtë do t’i çmontojnë. Ata që i vazhdojnë punimet në Reçicë të Vogël pa asnjë dokument përkatës dhe nuk i përfillin kërkesat tona dhe të qytetarëve, ua bëjmë me dije se shumë shpejt do ta kuptojmë fuqinë e cila i mbështet dhe do ta demonstrojmë me emër dhe mbiemër”, tha në konferencë për media Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-bixhoz.

Lëvizja anti-bixhoz nëpërmjet amendamenteve të dorëzuara i fton grupet parlamentare dhe komisionin në Ministrinë e Financave të jenë të kujdesshëm se si do të votojnë dhe ftojnë për mosvotim të ligjit, si dhe i ftojnë institucionet përkatëse që t’i përkrahin ato dhe popullin për parandalimin e ndërtimit të kazinove.

Në konferencë gjithashtu u tha se së shpejti pritet përsëri të ketë protestë kundër hapjes së kazinove dhe ftojnë për përkrahje.

Të pyetur nga Portalb.mk se pas protestës së parë të mbajtur në Tetovë, keni deklaruar se keni marrë përkrahje, ku a ngelur ajo përkrahje, ai tha se po vazhdohet me përkrahje nga institucionet.

“Përkrahja vazhdon edhe më tutje me intensitet të shtuar, kemi përkrahje totale nga të gjitha institucionet, por së shpejti pritet edhe ndalimi i punimeve”, tha Xhemal Abdiu duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Të pyetur në konferencë se a kanë marrë garancë në takimin me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarën e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi se kazinoja nuk do të hapet, nga lëvizja Anti-bixhoz thanë se në takim kanë marrë garancë dhe se nuk do të ndërtohet kazino më afër se 3 kilometra nga vendbanimi.

“Në takim kemi marrë garancë se kazinoja nuk do të hapet dhe i kanë pranuar amandamentet që nuk do të ndërtohet kazino më afër se 3 kilometra”, thonë nga Lëvizja Anti-bixhoz.

Baby Boo