Letrat nga kampet e Shqipërisë, nënës në Itali Mos u merakos nëse ndonjëherë të shkruaj zi


Elena Gjika, vajza e bukur nga Italia, që kaloi jetën në kampet shqiptare të komunizmit, e shpreh trishtimin e një jete që nuk e kishte pritur, në letrat që i çon të ëmës në Itali. Elena nuk do ta shihte më kurrë nënën, pasi kur ajo u kthye në Bari gjatë viteve 1990, ishte shumë vonë.

Elena Gjika u martua me Petrit Merlikën (i diplomuar në Universitetin e Grenoblit, në Francë), më 12 korrik 1942, në Bashkinë e Barit. Merlika ishte djali i ish-kryeministrit Mustafa Kruja, ndërsa Elena e bija e gazetarit Sotir Gjika. Dy të rinjtë ishin njohur nga miqësia e prindërve e kishin rënë më pas në dashuri. Elena, profesorë e Letërsisë, vjen në Shqipëri e udhëhequr nga dashuria, pa e menduar se ditët e saj të bukura në këtë vend do të ishin shumë pak. Një pjesë të madhe të viteve familja Merlika e kaloi në Kampin e Tepelenës.

Më 9 prill 1948 ajo shkruan nga qyteti i Krujës, ku ishte shpërngulur familja Merlika:

“Nëna ime e adhuruar. Në këtë çast mora dy letrat e tua të datave 20 e 22 të muajit të shkuar; mos u merakos nëse ndonjë herë shkruaj zi, nuk mund t’i a fal vetes, sidomos kur mendoj se të shkaktoj dhimbje shumë, nganjëherë dëshpërohesh e nuk është mirë, jam e marrë e mjaft, mbyllet incidenti. Xhaxhait i lutem të më falë turbullimin tim; duke menduar për të i kam premtuar vetes se do të jem gjithmonë e fortë dhe buzëqeshur, derisa të mundem t’a përqafoj sërish e të shihemi sy në sy, sepse fjalë është e vështirë se do të jemi në gjendje të shqiptojmë”.

Më 28 gusht të po atij viti ajo i shkruan:

“Nënokja ime e adhuruar. Ka dy javë që gjëndem këtu në Vlorë së bashku me Poçin; kemi ardhur këtu të kalojmë një muaj me Asllanin dhe Xhanën, për të ndryshuar pak jetën tonë të Krujës… Sa e trishtuar është heshtja e zgjatur nga ana e juaj, tepër, pambarimisht e trishtuar. Letrat e juaja, pakot e juaja, janë gëzimi ynë, oksigjeni i ynë material e moral; dashtë Zoti që të rifillojnë përsëri! Dje kam mbushur 28 vjet, nënokja ime, por u kujtova vetëm sot duke vënë datën në fillim të letrës: si kalojnë vitet e un nuk mundem të të shoh, të të shtrëngoj në zemër, të jetoj me ty dhe me Poçin një çast lumturie! Durim!

Do të jemi të fortë deri në ditën e bekuar të bashkimit tonë. Asllani e Xhana të përshëndesin shumë: më mbulojnë mua dhe Poçin me një botë dashurie e kujdesi dhe Poçi është i lumtur me dy vëllaçkot në det, në shtëpi e kudo. Me detin është mësuar shumë mirë, veç t’a shohësh, si një peshk”.

Një vit më vonë më 1949-tën nga qyteti i Krujës Elena shkruan:

“Kam lexuar se shpejt do të jetë një përfaqësi e juaja këtu, a e kuptove? Mendoj se mund të gjej një vend pune me ta, çfarë thoni juve? Nëse e shihni t’arsyeshme, nëse keni mundësi, duhet t’interesoheni aty; nuk e di nëse është një ide e mirë, gjykojeni juve e përgjigjmuni…”.
Në kujtimet e saj Elena e përshkruan kështu jetën e saj:

“Kam jetuar 47 vite në kampet e internimit, nga Tepelena në Vlorë, kantieri 216, nga Tirana, Kampi n.3, në Lushnjë, Gradisht, Pluk, Savër e së fundi në Grabian, kampe pune e dëbimi. Isha e huaj, italiane, e diplomuar, por kam punuar me ato gra e vajza shqiptare që më mësuan se si vihej barra e druve mbi shpinë, se si mbatheshin opingat prej lëkure derri, që habiteshin si jetonja, flisnja, merresha me problemet e tyre kur më kërkonin ndonjë këshillë, por më shfaqnin dashuri e më jepnin kurajo, kemi kaluar një jetë të tërë.

E kthyer në 1990 n’Itali munda të shoh një Kishë, t’i afrohem një altari, të marr kungimin e shenjtë. Gjthshka është e bukur, magjepsëse, por asgjë nuk mund të barazohet me emocionin aq të thellë, aq të mirëfilltë të asaj Krishtlindjeje të largët 1951, mes kaqë dhimbjeje, kaqë vuajtjesh por edhe kaqë shpresash në Virgjëreshën e Bekuar, Ruzari i së cilës shoqëronte kthimin tonë nga ajo punë çnjerëzore dhe e padrejtë, frut i një ideologjie të rreme e të mallkuar. Kalonin vitet në kampin tonë, gjithmonë mes punës e gazermës, mes sëmundjesh e mungesash të çdo lloji. Sa shumë vuanin të moshuarit dhe të sëmurët, nëpër çfarë torturash kalonin, kuptohej kur të tregoheshin kushtet higjenike në të cilat jetohej.

Nevojtoret, dhjetë gjithsej për dymijë vetë, ishin larg rreth dyqind metro. Natën duhej shkuar deri atje, edhe duke qënë të sëmurë apo të pamundur, në të kundërt dënimi ishte çnjerëzor: njeriut i varej në qafë një kanaçe me jashtëqitje dhe detyrohej të vinte vërdallë nëpër kamp një ditë, dy, tri, deri sa t’a quanin ‘t’arsyeshme’ xhelatët tanë. Ishte për të qarë e për të qeshur ajo tragjedi e tmerrshme!”.

Në librin e tij me kujtime për vitet e ferrit në kampin e Tepelenës, “Shqipëria burg”, ish-i përndjekuri politik, Kurt Kola, ndërsa rrëfen kalvarin e familjes së tij, ndalet edhe te portreti i Elena Gjikës. Në atë vepër ndër të tjera thuhet:

“Në të gjithë kampet e tjera të internuarit ishin përdorur për punë angari, por edhe pse e papaguar, të internuarit e konsideronin krenari. Por, në kampin e ‘eksperimenteve’ të tipit nazist qe krejt ndryshe, ishte vetëm fyese e poshtëruese. Punë me kërbaçin e policit pas shpine, për vajza, për gra e për këdo! Metoda naziste e kohës së re përsëriste Mesjetën e skllavërisë.

Në propagandën për të drejtat e njeriut, sistemi komunist e kishte të ndaluar ngarkimin e femrës me barrë në kurriz, duke bërë punën e mushkës a kalit, por të internuarat, femrat e të gjitha moshave, e kishin detyrim ngarkesën me dru, pleh organik e sende të tjera, edhe nëse nuk duheshin, vetëm për t’i lodhur, munduar e fyer. Burrat ishin pajisur me sëpata të bëra posaçërisht te kovaçi dhe, nga mëngjesi në darkë, përlesheshin me lisat e ahet shekullorë të malit të Bënçës e të Kurveleshit, duke prerë e bërë dengje metra-kub, pa normë të caktuar!

Gratë e vajzat i ngarkonin në shpinë si kafshët dhe nëpër udhë dhish, rrëpirave teposhtë, duke u rrëzuar e duke u ngritur, i zbrisnin në xhadenë e makinës! Këto ishin me normë: një metër kub për person! Dhe duhej të ngjiteshe e zbrisje monopatit, për rreth dy kilometra, gjashtë deri në shtatë herë, çfarë i binte të bëje dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë kilometra ngarkuar! Në darkë, rrugën e fundit, gratë, por edhe burrat që kishin prerë gjithë ditën, ngarkoheshin dhe e sillnin barrën në Degën e Punëve të Brendshme, në qytezën e Tepelenës.

Kjo qe e përditshme gjithë verës, ndërsa në vjeshtë e dimër zëvendësohej me plehun e dhive e deleve që kishin veruar maleve të Kurveleshit. Dega e Punëve të Brendshme kishte parcela të vogla toke, të cilat i punonte me të internuar të moshës mbi 65 vjeç, sepse kjo quhej, sipas tyre, punë e lehtë. Këto ara plehëroheshin me pleh organik, që të internuarit e mblidhnin nëpër stane, mbushnin thasët dhe e ngarkonin në kurriz. Kur vinin në kazermë, gra e burra kundërmonin erë pleh, që qelbte gjithë kazermën! Edhe kjo ishte një nga disa eksperimentet që u bënë me ne për të provuar rezistencën ndaj së keqes!

Çdo njeri e kupton rrezikun individual e kolektiv në një ambient si ai ku jetonim ne; mbi pesëqind vetë në një kazermë, ku më shumë se gjysma, pamundur dot të ndërronte rrobat e trupit apo të lahej, pasi kishin transportuar gjithë ditën pleh, futeshin e flinin në kazermë me të tjerë! Duke punuar gjatë gjithë javës me pleh, edhe pse laheshin ditën e diel, duhma nuk u dilte nga trupi! Gratë e vajzat e internuara për të mos u prekur nga shkopi i ish-barinjve, që tani ishin policë të pushtetit komunist, jo nga dhimbja, por nga turpi e dinjiteti, me ndihmën e njëra-tjetrës bënin normën çdo ditë! Kjo i bënte me plasë policët sa injorantë, aq dhe kriminelë.

Po kush i printe karvanit të gjatë të grave e vajzave të internuara, të ngarkuara në shpinë me dru dhe pleh?

Gjithmonë në krye ishte universitarja Elena Merlika. Sikur të guxonte ta kish parë veten në ëndërr, të ngarkuar me dru e pleh, ndërkohë që ishte në auditorët e universitetit, apo mësuese gjimnazi, me thonj do të vetëmbytej! Ndërsa sot, për të lartësuar personalitetin e saj dhe emrin e madh të Mustafa Merlikës, ajo printe karvanin pa e ulur shpinën e ngarkuar, me trupin fidan të drejtë e kokën lart!

Pas saj, me të njëjtin qëndrim e dinjitet, ecnin bijat e Princit të Mirditës, Gjon Markagjoni: Marta e Bardha Gjonmarkaj, të ndjekura në rresht nga Liria, bija e Muharrem Bajraktarit, Vera, bija e Hysni Demës, Ana, bija e Fiqiri Dines, Hyrie Kupi, vajza e Abaz Kupit, Lajde e Klora Miraka, mbesat e Kol Bib Mirakës dhe plot vajza e gra të familjeve të mëdha nacionaliste. Elena Merlika ishte intelektualja, në diplomën e së cilës ishte shkruar në brinjë hipotenuze me germa në ngjyrë ari, vetëm një fjalë: ‘Brillantamente’ (Shkëlqyeshëm).

Vajzat që u përmendën dhe shumë të tjera kishin mbaruar gjimnazin, shkallën më të lartë të arsimit në Shqipëri. Ardhja e komunizmit u preu mundësinë e shkollimit të mëtejshëm, i futi në kampet e internimit, duke ua kufizuar çdo të drejtë për të jetuar, deri edhe më njerëzoren, të drejtën e martesës! Dhe kush i ‘qeveriste’ këto gra e vajza të shkolluara? Komandanti i kampit, toger me grada për merita ‘lufte’, pa një ditë shkollë, veç me një kurs gjashtëmujor analfabetizmi…

Tepelena është vend malor, me dimër të ftohtë dhe borë. Urdhri ishte të shkoje në banjat e kampit për urinim, i madh e i vogël, sado ftohtë të ishte. Prenë Tarçukja, një plakë nga Puka, sikurse disa të tjerë, urinonin në kusia teneqeje natën dhe të nesërmen, fshehurazi, shkonin e i derdhnin në kanalet e ujërave të zeza te banjat. Për fatin e saj të keq, e pa polici dhe e ndaloi. E urdhëroi plakën të hiqte opingat dhe çorapet, duke e lënë zbathur në dëborë! Kusinë me urinë ia vari në qafë!

Pas këtij veprimi, i ra bilbilit të dilnin njerëzit përjashta. Ishte ende pa zbardhur mirë dhe Prena dukej si një hije në mes të dëborës. Teksa afroheshin dhe panë plakën, që dridhej e tëra nga të ftohtit, zbathur në dëborë e me kovën e urinës në qafë, Liza Tuci, vajzë burrëreshë mirditore, me disa gra e vajza të tjera që e ndoqën pas, iu turr polic Selfos me furkën e leshit për ta çarë në kokë. Por, shkurtabiqi u tregua më i shpejtë dhe i shpëtoi furkave të grave trimëresha, të cilat e morën plakën dhe e futën në kazermë. Ngjarja u konsiderua nga komanda provokim.

‘Hiena’, komandanti i kampit, u fut brenda me të gjitha forcat e policisë që kishte kampi për të arrestuar grupin e grave, të cilat shpëtuan plakën pukjane, Prenë Tarçukën. Gra e vajza u armatosën me furka leshi e dru të shkurtër dhe zunë dyert e kazermave. Nuk lejuan asnjë burrë të përzihej në këtë çështje. Policët nuk guxuan të futeshin brenda. ‘Hiena’ e pa punën pisk, zmbrapsi policët dhe kërkoi një përfaqësi grash për të biseduar.

– Të shkojnë ato gra që punojnë më fort, tha nënë Mrika, gruaja e Princit të Mirditës, Gjon Markagjonit.

Dhe përfaqësia e grave qe: Elena Merlika, Bardhe Gjonmarku, Hyri Kupi, Xhina Miraka dhe Nina Destanisha, pesë femra dinjitare, që u paraqitën në komandën e kampit për të bërë me dije kërkesat e të internuarave, të cilat do t’i paraqiste Elena Merlika, e mbështetur njëzëri nga katër të tjerat. ‘Hiena’, komandanti i kampit, i priti në sallën e mbledhjeve, ku ishte thirrur gjithë ekipi i policisë për t’u bërë presion që të pranonin ato çfarë do të kërkonte ai.

– Sot, në kamp, është tentuar një akt terrorist nga ana e disa të internuarave. Por, efektivi i policisë, i planifikuar për t’u vrarë, u tregua i mençur dhe e shmangu aktin, prej të cilit do të rridhnin pasoja të rënda. Kërkova një takim me një përfaqësi që ta mbyllim pa ndëshkime ekstreme. Ndaj e tërhoqa policinë të mos përplaset me gratë dhe që ta mbyllim, siç u shpreha, ju kërkoj juve ta sillni paqësisht të dënuarën Liza Tuci, për të cilën u jap garanci se nuk do ta prek askush me dorë, veç do të marrë një dënim disiplinor njëzet ditë me izolim biruce – e mbylli ‘Hiena’ kërkesën e butë si masë, por tepër fyese për zonjat, të cilave ua kërkonte. Pritej fjala e përfaqësisë.

– Zoti komandant – ia nisi Elena Merlika – ligjet, edhe kur të dënon gjykata, të garantojnë disa të drejta, që mbrohen me rigorozitet. Po ne që nuk jemi gjykuar për asnjë faj e nuk na ka dënuar gjykata, pse po përdoremi si kafshë pune? Madje, akoma më keq se kafshët, me punë të rënda, pa orar, pa ushqimin e duhur, në rrethana shtrënguese e me kërbaçin e policit mbas shpine! Me punë të detyruar, të dënon gjykata. Ne përdoremi për punë, madje nga më të rëndat, në shkelje të ligjit, dhe dikush do të duhet të përgjigjet për këtë padrejtësi. Vërtet kemi ardhur me kërkesën tuaj, por jo për të zbatuar atë që kërkoni ju. Kemi marrë ca porosi, të cilat do t’ua themi sot, për t’i pasur në mendje këtej e tutje…

– Nuk ju kam thirrur të jepni këshilla si të sillemi ne, por për të zbatuar urdhrat që ne ju japim!- ia preu ‘Hiena’, Elenës.

– Zoti komandant, bëni durim sa të them atë që na kanë ngarkuar bashkëvuajtëset tona, pastaj ju vazhdoni me mënyrat tuaja – foli Elena me qetësinë që e karakterizonte.

– Hajde pra, fol të dëgjojmë mençuritë tuaja – foli ‘Hiena’ me tallje.

– Jemi porositur t’iu themi se keni bërë me ne lloj-lloj provash gjenocidi, e torturuar të pafajshëm, ashtu sikundër ne jemi! E keqja ka shkuar në ekstrem të saj, ndaj ne jemi betuar dhe zotuar për të mbrojtur dinjitetin e secilit prej nesh, deri në vdekje! Nuk kemi armë, por me thonj do ta mbysim çdo kriminel, që do të guxojë të prekë cilindo…!

– Mjaft! Pusho! Fashiste! Se nuk është kryeministër vjehrri yt Mustafa Kruja që na bën kërcënime, por është Enver Hoxha, që i përzuri një herë e përgjithmonë tradhtarët! Dilni shpejt, mos t’ua shoh surratin! – klithi ‘Hiena’ me zhargonin komunist.

Por, mesazhi ishte marrë dhe ai po pëlciste nga inati pse e lejojë të flasë dhe të deklarojë, në sy të gjithë policëve, poshtërsitë që kishin bërë. Që të nesërmen, me fonogram, ia raportoi fjalë për fjalë ministrit të Brendshëm, ato që tha Elena Merlika, duke e paraqitur si ultimatum dhe kërkoi udhëzime veprimi. Mehmet Shehu dërgoi me urgjencë ‘Diabolikun’, Niqif Andoni, me udhëzime të veçanta. Informacioni i dhënë nga komanda dhe emri i Elena Merlikës kishin oshtirë fort në veshët e ministrit, ndaj kishte dërguar menjëherë koordinatorin, i cili as hyri në kamp, as kontaktoi njeri nga të internuarit, veçse, duke ndjekur sjelljen e policisë në ditët në vijim, konstatoje lehtë ndryshimin rrënjësor, jo vetëm me ata që punonin, por, edhe në shërbimin e brendshëm.

Aq shumë u zbut sjellja e tyre, sa nuk të besohej se ishin ata, të cilët vetëm pak ditë më parë nuk mund t’i shihje drejt në sy, sepse e quanin provokim! Çuditërisht, tani dëgjoje prej tyre edhe fjalën ‘urdhëro’, kur mund t’iu drejtoheshe për diçka…”

Baby Boo