LEN i vë ultimatum pushtetit: Të votohet anëtari ynë për në KSHZ, ose bojkotojmë Kuvendin


Lidhja Europiane për Ndryshim është duke menduar ta bojkotojë Kuvendit, nëse nuk i jepet vendi i anëtarit të 7-të në KSHZ, për të cilin besojnë fort se u takon.

Ne do të ngremë alarmin në nivelin më të lartë dhe do të kërkojmë prej shumicës parlamentare që deri në fund të vitit, 31 dhjetor, ta votojë në Kuvend anëtarin e KSHZ-së që e kemi propozuar ne. Nëse shumica nuk e voton anëtarin që ne e kemi propozuar, që na takon me ligj, ne do ta bojkotojmë parlamentin”, tha Afrim Gashi, Alternativa.

Megjithatë bojkoti nuk është e vetmja masë që opozita shqiptare po e mendon ta ndërmarrë si shenjë revolte. Në plan kanë edhe hapa më radikal. Bilall Kasami tha se kanë mundësi që para Kuvendit t’i nxjerrin 10 mijë qytetarë.

“Bojkotimi i Kuvendit, protestat, bllokada e Kuvendit, deri në atë të fundit që e kemi analizuar dhe e shqyrtojmë si mundësi, që në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare, Tetova, Zhelina dhe Çairi, mos të lejojmë që ditën e zgjedhjeve të hapen kutitë e votimit”, pohoi Bilall Kasami, Lëvizja Besa.

Bojkotimi i Kuvendit nga opozita shqiptare, do të nënkuptonte edhe mosvotim i Talat Xhaferit si kryeministër teknik. Por Kasami thekson se atë do ta votojë edhe VMRO-DPMNE-ja nëse do që të ketë ministrat e saj në Qeverinë teknike.

“Pra Talat Xhaferi do të jetë kryeministër i VMRO-së, po aq sa i LSDM-së, po aq sa i Aleancës edhe i BDI-së, nuk bëhet fjalë këtu për atë famën që tenton ta krijojë BDI e cila duke mos pasur rezultate këto 4 vite, gjithë katër vitet mundohen t’i kalojnë me 100 ditë të Talat Xhaferit kryeministër teknik”, shtoi Kasami.

Lidhja Europiane për Ndryshim është e bindur në fitoren e saj në bllokun shqiptar, ndërsa sipas Kasamit këtë ua tregojnë edhe sondazhet që i bëjnë, prandaj edhe një herë i përcollën apel ASH-së që sa më shpejtë të vendos të jetë në anën ku është edhe votuesi i saj, sepse siç thanë, votuesi i ASH-së nuk voton për BDI-në.

Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti zbuloi se në listën e LEN-it do të ketë edhe kandidat të Vetëvendosjes, partia e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, e cila do të përkrahë opozitën shqiptare në zgjedhjet që po vijnë.

Baby Boo