Lehtësimi i masave rrit rrezikun ndaj infeksionit, Ministria Shëndetësisë apel për vigjilencë


Ndonëse dita e sotme ka shënuar edhe numrin më të ulët të të prekurve me COVID që nga fillimi i epidemisë,ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka kërkuar rritjen e vigjilencës në kushtet e lehtësimit të masave.

Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Referuar informacioneve të bëra publike nga ministria e Shëndetësisë, gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

“Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, duke respektuar distancimin fizik, duke ruajtur higjienën personale, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, ndërsa bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte.

Qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, informon Ministria.

COVID-19 – Statistika (18 Maj 2020)

Testime totale 12722
Raste pozitive 948
Raste të shëruara 727
Raste Aktive 190
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 69
Krujë 44
Durrës 31
Shkodër 15
Kamëz 12
Berat 10
Fier 4
Elbasan 2
Kurbin 1
Mirditë 1
Korçë 1

Baby Boo