LAJMI I FUNDIT / Zëdhënësi i Bashkimit Evropian: Kosova do ndëshkohet me këto masa të rënda


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se Bashkimi Evropian në pajtim me 27 shtete anëtare ka vendosur që të ndërmarrë masa ndqëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të mos bashkëpunimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Situata dje ka provuar që s’ka de-eskalim, kjo situatë e emergjencave duhet të kalojë. Kurti deri tani ka dështuar të bëjë hapa dhe aksione për de-eskalim. Ai ka propozuar 5 pika por ai nuk adreson elementet kryesore dhe të cilat ne e presim t’i adresojë urgjentisht”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Në bazë të kësaj, ai theksoi se “BE ka përgatitur propozim me masa me efekt të menjëhershëm, këto nuk janë sanksione këto janë masat që merren menjëherë”.

Shtetet anëtare kanë mbështetur një seri masash. Këto janë konsekuenca politike; ndalje e takimeve të nivelit të lartë dhe gjithashtu masa financiare”, bëri me dije Stano, duke shtuar që “këto masa janë të përkohshme dhe me mundësi largimi, varësisht nga hapat që merr qeveria e Kurtit”.

Ndërkaq, ai theksoi se “BE nuk është e anshme, jemi ndërmjetësues të ndershëm”.

“Duam të ndihmojmë dy palët pavarësisht qasjeve të tyre, ende duam konsensus për të gjetur një zgjidhje evropiane për situatën”, pohoi zëdhënësi i BE-së .

Ndryshe, ashtu siç raportoi ekskluzivisht Albanian Post nga burimet diplomatike se sanksionet nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare mund të fillojnë qysh nga kjo javë, u konfirmuan këtë të mërkurë nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Për “izolimin ndërkombëtar” të Qeverisë së Kosovës për shkak të refuzimit për t’i dëgjuar kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare dhe refuzimit të kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës në veri ka raportuar që nga mëngjesi i së martën ekskluzivisht Albanian Post.

“Ky është një proces që tashmë ka nisur. Me shumë gjasë brenda pak javësh aktiviteti i vetëm ndërkombëtar i Kurtit do të jetë pjesëmarrja në tryeza të organizuara nga OJQ evropiane, edhe pse edhe kjo do të reduktohet dukshëm”, pohoi burimi diplomatik për AP, i përfshirë thellë në procesin negociues.

“Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri”.

Kështu raportoi të martën herët Albanian Post se një nga hapat e parë të sanksioneve do të jetë rishikimi i asistencës që vjen nga programet e para-anëtarësimit në BE, një masë tërësisht brenda Marrëveshjes së Ohrit që ishte arrituar më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, ka ndarë me shtetet anëtare një pjesë të “skicës” për disa nga “masat shtrënguese” të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse kryeministri Kurti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm për uljen e tensioneve në veri të vendit.

Kështu bëri të ditur të martën edhe Peter Stano në një përgjigje për Albanian teksa komentoi planin 5-pikësh të kryeministrit Kurti, i cili, sipas tij, do të kontribuonte në qetësimin e situatës në Veri të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, thoshte Stano për AP.

Ndërkaq, se do të përballej me pasoja tepër serioze Kosova po që se kryeministri Kurti nuk përmbush tri kërkesa “të qarta” të partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, kishte paralajmëruar vetë Borrell pas një takimi që pati me presidenten Vjosa Osmani, më 1 qershor, në Kishinau të Moldavisë.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për dalje nga kriza.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar njoftoi se ka prezantuar një plan prej pesë pikave për uljen e tensioneve në veri: Sundimi i ligjit atje; tërheqja e grupeve të dhunshme; Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë; shpallja e zgjedhje të parakohshme; dhe rikthimi në dialog.

Baby Boo