Ky është tetovari i cili ka ruajtur dokumentin origjinal të Marrëveshjes së Ohrit për 20 vite


Ilir Luma nga Tetova, ish-anëtar i PPD-së, gjatë 20 viteve të kaluara në kushte shtëpie e ka ruajtur një nga shembujt e Marrëveshjes së Ohrit. Për dallim të këtij, një shembull të tillë nuk posedon asnjë nga partitë politike, presidenti i shtetit ose edhe Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot zëvendëskryeministri Artan Grubi, gjatë dorëzimit të këtij dokumenti në Arkivin Shtetëror, duke theksuar se është krenar që pas 20 viteve ka arritur të zbardhet ky mister sa i përket dokumentit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Vetëdija e lartë e Ilir Lumës nga Tetova, anëtar i PPD-së i cili është kujdesur plot 20 vite që ta ruajë këtë dokument në shtëpinë e tij, duke e pasur parasysh moskujdesin e të gjitha institucioneve dhe partive politike, të cilat nuk e kishin arkivuar këtë dokument. Bëhet fjalë për person i cili ishte asistent në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe pastaj e kishte marrë nga zyrat e partisë më të vjetër politike të shqiptarëve në shtet dhe në kushte shtëpie kujdeset në mënyrë arkivore për këtë dokument. Hulumtimet tona na sollën deri te ky zbulim dhe zotëri Luma para dy javëve e dorëzoi këtë dokument në kabinetin tim”, theksoi Grubi.

Njëherësh, ai theksoi se ka kontaktuar me të gjitha zyrat e shtatë nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit dhe se nuk ka mundur ta sigurojë dokumentin origjinal.
Grubi informoi edhe se ngjarja kryesore për shënimin e 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit do të mbahet të premten dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje e kanë konfirmuar Xhorxh Robertson, Piter Fejt, Dejvid Filips, Poll Uilliams, anëtarë të Qeverisë, presidenti i shtetit dhe ministra dhe funksionarë të mëparshëm

Baby Boo