Mbrëmë FIFA ka vendosur që t’ju shqiptojë gjobë tre futbollistëve të përfaqësues së Zvicrës, Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit e Stephan Lichtsteiner.
Dy futbollistët me prejardhje nga Kosova Xhaka e Shaqiri janë dënuar me nga 10 mijë franga për shkak se në ndeshjen kundër Serbisë festuan me duar duke e bërë formën e shqiponjës.
Ndërkaq për Lichtsteiner i cili po ashtu festoi në këtë mënyrë me bashkëlojtarët e tij, FIFA mori vendim që ai të dënohet me 5 mijë franga, shkruan më tutje “Zeri.info”.
Ky vendim i FIFA-s ka ngjallur mjaft reagime.
Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe i pari i Tiranës, Erion Veliaj, shkruan më tutje “Zeri.info”.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Instagram”, ka shpërndarë fotografi të të dy futbollistëve kosovarë, por edhe fotografi të Rita Orës, Dua Lipës e Ermal Metës.
Ai në mbishkrimin e këtyre fotografive ka shkruar se “Shenja e Shqiponjës është e njëjtë me qepallat apo me shenjën OK. Është një lloj simboli mes shqiptarësh që vjen nga Toka e Shqiponjave!. Si për këngëtarët Rita Ora, Dua Lipa, Ermal Meta, ashtu edhe për futbollistët Granit Xhaka e Xherdan Shqiri, është motiv gëzimi e jo konflikti”, ka shkruar Veliaj.