Ky është 19 vjeçari që lufton me plagët, pas vrasjes së dyfishtë në Shkup!


Personi F.A 19 vjeçar nga Hasanbegu eshte i mbijetuari në incidentin e armatosur që ndodhi mbrëmë, është operuar dhe lufton për jetë nën kujdesin intensiv. Dy orë para pranimit në Qendrën emergjente, rreth orës tre të mëngjesit, për shkak të lëndimeve të rënda ndërroi jetë një person 49 vjeçar. Viktima e tretë në moshën 44 vjeçe, humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ky është epilogu nga konfrontimi i mbrëmshëm i armatosur që i tronditi banorët e Shkupit.

Diku rreth 30 minuta pas mesnate në qendrën urgjente kirurgjikale nga ndihma e shpejtë u sollën tre paciantë nga të cilët, për fat të keq, te njëri vetëm se u konstatua vdekja ndërsa dy të tjerët u shtruan në njësinë e mjekimit intensiv. Dy orë pas pranimit, edhe përkundër angazhimit maksimal të ekipeve mjekësore, si pasojë e lëndimeve serioze, i lënduari i dytë ndërroi jetë. Ndërsa pacienti i tretë ju nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale deri në orët e hershme të mëngjesit dhe për momentin gjendja e tij është stabile, në aparat për frymëmarrje artificiale- tha Albert Leshi – drejtor i Qendrës Emergjente.

Sipas policisë, konflikti i përgjakshëm ka ndodhur gjysmë ore pas mesnate në rrugën “Ruzvelltova” kur persona të panjohur me automjet në lëvizje kanë shtënë drejt makinës “Seat Altea” me targa të Shkupit në të cilën kanë qenë tre viktimat, që të gjithë nga Shkupi. Jozyrtarisht, është shtënë me kallashnikov nga një xhip, ndërsa vrasjes i ka paraprirë një ndjekje nëpër rrugët e Shkupit. Breshëria e të shtënave fillimisht është dëgjuar para Prokurorisë Speciale Publike. Nga Prokuroria Publike njoftuan se trupat e dy të vrarëve janë dorëzuar për autopsi, ndërsa „altea“ është në ekspertizë.

Në vendin e ngjarjes janë marrë 25 gëzhoja, gjurmë gjaku, veshjet e të vrarëve dhe të personit të lënduar dhe prova tjera që me urdhër të prokurorit publik do të dorëzohen për ekspertizë- thanë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë

Sot në “Ruzveltova” ende janë të dukshme gjurmët e gjakut. Plumbat kanë përfunduar edhe në dy makina të parkuara në afërsi të ngjarjes së mbrëmshme

Baby Boo