Kuvend, me 57 vota “pro” miratohet nevoja për Ligjin e Prokurorisë


Vetëm me 57 vota “për” në Kuvend u miratua procedura e shkurtuar e sjelljes së ligjit për Prokurorinë Publike. Opozita maqedonase, ashtu siç pritej, nuk votoi, kurse përveç përmbajtjes kishte edhe vërejtje procedurale.

Vlerësoj se duhet të mbahet mend numri me të cilin u votua procedura e shkurtuar e miratimit të ligjit. Për një ligj serioz nuk duhet të ketë procedurë të shkurtuar. Nëse thonë se nuk kemi kohë atëherë përgjegjësia është përsëri e pushtetit që deri tani ka taktizuar dhe nuk ka propozuar ligj. Lëshimi i tretë është që këtë ligj do ta procedojë Komisioni për çështje evropiane edhe pse ai nuk ka lidhje me asnjë dispozitë evropiane – tha Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

Debati do të zhvillohet në Komisionin për çështje evropiane në Kuvend, meqë ligji mban yllin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë pritet të vazhdojnë grupet e punës mes pushtetit dhe VMRO-DPMNE-së me qëllim që kjo e fundit të propozojë në komision amendamente të pranueshme për pushtetin. Se kur do të mbahet seanca e komisionit nuk dihet akoma por kreu i tij Artan Grubi njoftoi se fillimisht synon harmonizimin e qëndrimeve mes partive.

Debati, për arsye se është me procedurë të shkurtuar zgjat vetëm dy ditë kurse afati për dorëzimin e amendamenteve është deri në fillim të seancës së komisionit për çështje evropiane. Pas miratimit të nevojës për procedurë të shkurtuar do t’i ftoj përfaqësuesit e partive politike që janë të përfaqësuara në komision që të shohim nëse mund të arrijmë konsenzus rreth mbajtjes së komisionit dhe miratimit të amendamenteve. Synoj që të arrijë konsenzus mes partive politike për këtë ligj jashtëzakonisht të rëndësishëm – u shpreh Artan Grubi, kryetar i komisionit për çështje evropiane.

Përveç VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, amendamente do të propozojë edhe Lëvizja Besa. Ata duan garanci për zbardhjen e plotë të lëndëve të Prokurorisë Speciale.

Gjatë fazës së amendamenteve për ligjin do të ndërhyjmë dhe do të kërkojmë garanci të qarta se të gjitha ato lëndë të cilat i ka pasur Prokuroria Speciale, të gjitha krimet që janë bërë nga funksionarë të pushtetit të kaluar por edhe pushtetit aktual nuk do të mbeten në harresë dhe do të procedohen edhe nga prokuroria publike – theksoi Fadil Zendeli, deputet i Besës.

Komisioni nuk pritet të thirret deri javën e ardhshme. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska njoftoi se pushteti po shqyrton opsione të tjera në rast se arritja e marrëveshjes dhe miratimi i ligjit për të cilin nevojiten 80 vota, dështojnë.

Nëse nuk votohet ligji do të shkohet në variante të tjera. Kjo ndoshta do të bëhet përmes marrjes së lëndëve nga një prokurori tjetër, sigurimin e ushtruesit të detyrës si kryeprokuror i PSP-së, etj. Ekzistojnë më shumë opsione të cilat shqyrtohen. Ekziston edhe mundësia e ndryshimit të ligjit të këshillit të prokurorëve i cili do të japë mundësinë e tejkalimit të situatave dhe pengesave të caktuara – deklaroi Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Ligji për Prokurorinë Publike pritet të rregullojë aspektet më problematike të funksionimit të institucioneve të hetuesisë gjatë periudhës së kaluar duke përfshirë këtu edhe të ardhmen e Prokurorisë Speciale. VMRO DPMNE-ja kërkoi edhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Deskoska për shkak se, siç thonë, në mandatin e saj ndodhi mega-skandali i reketimit. Meqë nuk i pëlqen opozitës Deskoska ndihet e vlerësuar dhe në rrugë të drejtë.

Baby Boo