Kush po luan me të punësuarit në shëndetësi? Në vend të 40% të neto pagës, morën nga 99 denarë


Masa e cila ishte paralajmëruar me pompozitet se të punësuarit në shëndetësi që ishin të angazhuar për ballafaqim me Covid-19, do të marrin kartelë me 40% të rrogës neto, ra në ujë. Në vend të 40% morën 92 denarë, para me të cilat mund të blejnë produkte vendore, nënvizon kronika e TV21.

Gabriella Ilievska është e punësuar në Spitalin Klinik në Manastir, por njëherazi është edhe këshilltare e pavarur në Këshillin e Komunës së Manastirit. Në seancën e fundit të Këshillit, ajo ishte përqeshur për 92 denarët që i ka marrë.

Ollga Llozanovska (VMRO-DPMNE): Gabi mori shumë të holla, me vauçer, duhet ta shpenzojë. Bile 90 denarë.
Valentin Gruevski (PLD): Kush ka marrë 90 denarë?
Gabriella Ilievska (Ndryshe): Unë Valentin, nëse do mund të t’i dhurojë? Çka po më sheh? 90 denarë mora.
Viktorija Hristovska (VMRO-DPMNE): Të blesh produkte vendore.
Valentin Gruevski (PLD): Kali fal nuk shikohet te dhëmbët…
Metodija Ilievski (LSDM): Ku i more Gabi?
Gabriella Ilievska (Ndryshe): Si e punësuar në shëndetësi…
Metodija Ilievski (LSDM): Bonus për rrogën?
Gabriella Ilievska (Ndryshe): Jo! 40% që duhej nga rroga….
Metodija Ilievski (LSDM): Dhe sa të dhanë?
Gabriella Ilievska (Ndryshe): 92 denarë.
Metodija Ilievski (LSDM): Gabim është!
Vllade Sherovski (LSDM): Të kanë dhënë sipas meritave.
Metodija Ilievski (LSDM): Ndoshta aq të kanë munguar deri në 100.000.
Gabriella Ilievska (Ndryshe): Faleminderit koleg Sherovski, por kur do të vish te unë si pacient, do të shohësh sa janë meritat! Është turp t’i degradosh punëtorët shëndetësorë. Te ne nuk ka merita, ka vetëm detyra.
Zoran Stojçevski (LSDM): Do të blesh dy maska, nga ato më të lirat.
Gabriella Ilievska (Ndryshe): Mos Dashtë Zoti të vish, do të shohësh si punohet atje.

Ilievska për TV21 thotë se jo vetëm ajo, por edhe shumica e kolegëve të saj kanë marrë shuma qesharake.

-“Nuk e kisha ndërmend ta komentoj shumën e kartelës, edhe pse e mora para disa ditësh, sepse shpresoja se bëhet fjalë për ndonjë gabim, edhe te unë, edhe te kolegët e mi që morën shuma qesharake parash. Për fat të keq, në pauzën e seancës së Këshillit, isha përmendur publikisht për shumën në fjalë. Mendimin e këshilltarëve të pushtetit për një punëtor shëndetësor i cili ka punuar me Kovid-19, do të lë ta komentojë opinioni publik,” tha Gabriella Ilievska, analiste mjekësore në laborator.

Ministrja e Financave e pranoi gabimin dhe tha se do të ketë korrigjime.

-“Të punësuarit në shëndetësi, ashtu siç parasheh Dekreti marrin 40% e neto pagës themelore. Listën që e dorëzon Fondi për Sigurim Shëndetësor numëron 4.400 punëtorë shëndetësorë. Duhet të theksoj se sot po bëhet korrigjimi adekuat i kësaj liste, të cilën Fondi do t’ia dorëzojë Sekretariatit të Përgjithshëm, e prej atje do të përcillet në banka për t’i bërë korrigjimet, sepse edhe ata thanë se ka gabime lidhur me lartësinë e neto rrogave,” tha Nina Angellovska.

Në masën për kartelat pagesore me të cilat mund të blihen vetëm produkte vendore, janë përfshirë edhe të punësuarit në Qendrat për Shëndet Publik, në Ndihmën e Shpejtë, Repartet Infektive dhe të punësuarit në repartet e tjera që ishin angazhuar për testim, diagnostikim dhe shërim të të infektuarve me Kovid-19./TV21

Baby Boo