Kush ishte Mehmet Pashë Dërralla, shqiptari nga Maqedonia që hodhi themelet e Ushtrisë Shqiptare


U lind më 1843, në Gradec të Tetovës, në familjen e dëgjuar të Hasan Pashë Dërrallës, ku patriotizmi ishte i gatuar që në rrënjë.

Mehmeti kreu arsimin fillor në Tetovë (vendlindje), kurse shkollën e mesme e kreu në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, çfarë ndikoi që për disa vite të shërbente në Anadoll, i emëruar në një regjiment këmbësorie.

Këtu u vlerësua “i zellshëm, me perspektivë”. Më pas iu dha e drejta për të ndjekur shkollën e lartë, Akademinë e Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Përfundimi i akademisë së Shtatmadhorisë i hapi dyert për karrierë të mëtejshme dhe fitimin gradualisht edhe të gradave madhore.

Dëralla është regjistruar në memorien historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, ku e mbylli karrierën si oficer i ushtrisë osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare.

Pashai 35-vjeçar, tetovari Mehmet Dëralla ka qenë delegat i Tetovës, së bashku me Esad pashë Tetovën (Dëralla), Sheh Mustafa Tetova, Rexhep pashë Dëralla, Hasan Musharanuredin, Haxhi Sadiku, Mehmet Efendiu, Abdyl Rrufi, Riza Fuati.

Më tej ai do të lidhet me patriotët Haxhi Zeka, Bajram Curri, Ramadan Zaskoci, Idriz Seferi, duke u përfshirë gjerësisht në problemet kombëtare shqiptare. Mehmet Dëralla, në kulmin e karrierës së gjeneralit të ushtrisë turke çmoi më të rëndësishme atdhetarinë e fatin e Shqipërisë se sa zbukurimin e supeve me spaleta e grada dhe kraharorin me medalje heroizmi osmanlinjsh.

Ai mori përgjegjësi e luajti rol të rëndësishëm, krahas burrave të shquar të Lidhjes së Prizrenit, për organizimin e veprimeve luftarake të saj. Pashai tetovar u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, madje, si ushtarak akademik ai u caktua këshilltar ushtarak i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes së Prizrenit.

Burime të tjera evidentojnë se ai u caktua komandant i Forcave Ushtarake të Lidhjes së Prizrenit për viset e Maqedonisë, vlerësuar edhe kjo si një zonë me rëndësi strategjike. Mehmet Dëralla, së bashku me të atin, Hasanin, janë nënshkrues të akteve të Lidhjes, si Statuti (Kararname” dhe urdhëresave (Talimat), ndërmjet 54 përfaqësuesve të tjerë.

Pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1881, Mehmet Pasha, kthehet në vendlindje, Tetovë, duke qenë i kontrolluar pa ndërprerje nga agjentët e perandorisë osmane.

Mehmet Dëralla mbështeti këtu Haxhi Zekën, u bë njëri nga prijësit popullor, ndihmoi në hartimin e programit të kuvendit prej 11 pikave dhe “aktit të besës” me 12 nene si dhe apelit “Rruga e shpëtimit është në besa-besën”. Në zbatim të detyrave të kuvendit ai punoi për organizimin e tubimeve në Prizren, Ohër, Gostivar, Kërçovë.

Kryerja e këtyre akteve solli, më 1900, kapjen e Mehmet Pashë Dërallës, së bashku me 30 aktivistët më të shquar të këtyre lëvizjeve, nga forcat turke, dhe shoqërimin e tyre fillimisht në Selanik. Pas Selanikut Mehmet Dëralla me shokët e tij u syrgjynosen fillimisht në Halep të Sirisë dhe më pas u internuan në shkretëtirat e Irakut, prej nga i shkroi të birit, Halimit, më 1907: “Edhe pse me zemër të plagueme ndër vise të Bagdatit, zemra më rreh e fluturon ndër ato bjeshkë e kepa për me puthun ato sokola që duan me çlirua vendin prej osmanllisë”.

Roli i Mehmet Pashë Dërallës në çështjen kombëtare u rrit më tej në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912, ku ishte përkrah burrave të kombit, që kishin në ballë Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, Riza bej Gjakovën, Idriz Seferin, Islam Spahiun, Qerim beg Begollin. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish-qendrës së vilajetit të Kosovës.