Kush është Salvatore Letizia, italiani i Camorra-s që erdhi në Tiranë për të vrarë


Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të tij, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte.

Mediat italiane kanë shkruar disa herë rreth bëmave të Salvatore Letizia-s, duke e konsideruar si një person mjaft të rrezikshëm, vrasës gjakftohtë dhe shumë të fuqishëm, i mbështetur nga klani kamorrist që ai drejtonte. Por si është historia e ushtari italian i Camorrës, që u kontraktua në Tiranë për eliminimin e Mentor Lufit?

Ai ishte vetëm 17 vjeç kur iu bashkua me mish e shpirt një klani mafioz që i kishte bërë gjëmën. Mbrëmjen e 10 prillit të vitit 1997, në shtëpinë e tij në Napoli, një profesionist i vrau nënën dhe babanë. Prej asaj kohe, Salvatore Letizia u betua se përveç marrjes së hakut për vrasjen e prindërve, do të luftonte kundër organizatës mafioze që urdhëroi eliminimin e tyre.

Ngjarjet zhvillohen në Santa Maria Capua Vetere të Kazertës së Napolit, ku dhjetëra klane të Camorrës (një nga organizatat më të fuqishme mafioze në botë), luftojnë mes njëra-tjetrës për të fituar pushtet dhe terren në trafikun e drogës, armëve etj. Vetëm klani Kazaleze, që është një kartel i Kamorrës, nga aktiviteti kriminal ka përfitim të paktën 30 miliardë euro. Nga viti 1985 e deri në vitin 2004 numërohen 646 vrasje. Ndërkaq, në zonën e thellë të Napolit, babai i Salvatore Letizias, në vitet ’90 i ishte bashkuar klanit të Kamorrës “Piccolo di Marcianise”, e cila vepronte si një e vetme.

Kjo ndarje e Camorrës ka kundërshtar kryesor klanin Belforte, ndërsa mes tyre ka pasur me dhjetëra të vdekur. Klani Belforte, pas luftës së përgjakshme me Piccolo, është mbizotërues tani në fushën e Marcianise dhe kohët e fundit, ka forcuar më tej aleancën me Kazalezët. Tri nga bosët e Belfortes janë vëllezërit Domenico dhe Salvatore Belforte (vrasësi i prindërve të Salvatore Letizias) dhe Luigi Trombetta. Ndërkaq, Biagio Letizia ishte vrarë bashkë me gruan e tij, Giovanna Breda në rrethana që deri pak ditë më parë nuk ishin sqaruar në Itali. Megjithatë, me pendimin e autorit, Salvatore Belforte, së shpejti kjo ngjarje do të bëhet subjekt i procedurave dhe procedurave gjyqësore, raporton “Shqip”.

Ajo ishte një vrasje e dyfishtë, në të cilën vrasësi ekzekutoi burrin dhe gruan, e cila u ndodh aksidentalisht në vendin e gabuar, në kohë të gabuar. Biagio Letizia ishte anëtar i klanit Mazzacane, që sapo ishte shkëputur nga “Piccolo di Marcianise”. Ai merrej me shitje droge dhe aktivitete të tjera kriminale, gjersa një ditë gruaja e tij u gjend para një ngjarjeje të padëshiruar. Një karabinier po ndiqte një anëtar të këtij klani, i cili për t’u fshehur hyri në shtëpinë e Letizias.

Aty nëna e Salvatores u gjend përballë kësaj skene, ku mafiozi u largua dhe nuk u arrestua nga karabinieri. Mirëpo Giovanna e kishte parë fytyrën e mafiozit dhe kjo ishte e pafalshme. Pak më vonë, shefat e klanit të tij mafioz i thonë babait të Salvatores, që duhet ta vriste gruan. Këtu, Biagio Letizia shfaqi kundërshtim dhe atëherë shefat urdhëruan eliminimin e të dyve. Duke paguar Salvatore Belforten, ata e zgjidhën problemin. Më 10 prill të vitit 1997 nëna dhe babai i Salvatore Letizias ishin zhdukur nga faqja e dheut dhe atëherë adoleshenti u betua të merrte hak. Kësisoj, Salvatore Letizia i bashkohet një klani që sapo po formohej, i cili quhej “Quaqquarone”. Qëllimi i këtij klani ishte lufta me klanin Mazzacane dhe italiani përfitoi nga mundësia për t’u rekrutuar. Ndërkaq, rrëfimet e vrasësit të prindërve të Salvatore Letizias, po dëgjohen këto ditë nga gjyqtari i antimafies Luigi Landolfi.

Ai është nipi i Armando Letizia, aktualisht 61 vjeç, i arrestuar me bujë në Napoli në vitin 2009, si një prej urdhëruesve kryesorë të vrasjeve për llogari të Camorras dhe pjesë e një prej familjeve më të mëdha mafioze. Në vitin 2001, ditën e Shën Valentinit, ai është plagosur në këmbë, gjatë një shkëmbimi zjarri me automatik, ku mbeti i vrarë në derën e shtëpisë shoku i tij, Ferdinando Latino.

Kjo ngjarje ndodhi gjatë një përleshjeje të armatosur mes dy klaneve të Camorras, klanit Piccolo- Letizia dhe atij Belfore. Policia italiane arrestoi për këtë ngjarje 10 persona, ndërsa Salvatore Letizia arriti t’u shpëtonte prangave. Por 6 vjet më vonë, nuk e pati këtë fat.

Më 21 janar të vitit 2007, ai u arrestua në një zonë industriale të Napolit, bashkë me mikun e tij Giovanni Timbone, pasi u kapën me pistoleta që ua kishin fshirë numrat serialë. Ata u ndaluan nga grupi i Antimafies dhe në momentin e arrestimit Letizia mbante veshur një jelek antiplumb.

Megjithatë, atë që nuk arriti ta bënte drejtësia italiane, duket se do e bëjë Prokuroria shqiptare, pasi tashmë ka prova të mjaftueshme për të kërkuar burg për jetë për italianin.

Baby Boo