Kush është Florim Ejupi që Vuçiq po e ngarkon për vrasjen e Oliver Ivanoviq


Ballinat e mediave serbe, që funksionojnë nën urdhërat e presidentit serb Aleksandër Vuciq u mbushën me mbishkrime se autoritetet e atij vendi kanë prova për atë që qëndron prapa vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Vuçiq tha paraprakisht gjatë ditës, në takimin që pati me kongresmenin amerikan Eliot Engel, se Serbia e dinë kush e ka vrarë Ivanoviqin, derisa tha se Milan Radojiçiq nuk ka lidhje me këtë rast.

Siç shkruajnë mediat serbe, Vuciq ka kërkuar nga Shqipëria që të ju japin disa video nga aeroporti i Tiranës, ku sipas pretendimit të presidentit serb ka dëshmi për atë se çka ka bërë Ejupi.

“Pyes pse nuk po na i japin videot nga Aeroporti i Tiranës, Rinasi? pse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në Aeroportin e Tiranës, prej nga ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Çfarë ka bërë Nexhmedin Zekaj, i cili ka ndërruar emrin e tij në Lirim Zekaj më pas? Këto janë të gjitha pyetje për të cilat ne nuk mund të marrim përgjigje”, ka thënë dje Vuciq.

Por, kush është Florim Ejupi që çuditërisht pas sa kohe doli si emër potencial nga serbët, që qëndron prapa vrasjes së politikanit?

Emri i Florim Ejupit është i njohur që nga pas lufta. I njejti ishte i dyshuari kryesor i një rasti të cilësuar si sulm terrorist nga ku një autobus civil i mbushur me serbë, u sulmua më 16 shkurt të vitit 2001.

Nga ajo bombë, u vranë 12 civilë serbë dhe u plagosën 40 të tjerë të gjithë këta po udhëtonin drejt manastirit të Graçanicës nga Nishi i Serbisë.
Ejupi ishte arrestuar nga policia e UNMIK’ut në atëkohë derisa ishte arratisur nga burgu ushtarak në kampin e Bondsteelit, për t’u arrestuar përsëri në Tiranë, ndërkaq, në vitin 2009 i njejti u lirua në mungesë të provave.

Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet burgim, derisa është liruar nga Burgu i Dubravës pas tetë vite që kisht qëndruar në qeli.

Kolegji i Gjykatës Supreme, në përbërje të të cilit ishin tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendorë, ka urdhëruar lirimin e Florim Ejupit në mungesë provash.

“Kolegji i Gjyqtarëve nga Gjykate Supreme, i përbërë prej pesë gjykatësve – tre gjykatësve nga EULEX-i dhe dy gjykatësve vendorë – urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Burgu i Dubravës, pasditen e datës 12 mars. Ai u lirua nga çdo akuzë në mungesë provash”, shkruhej në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga EULEX-I në vitin 2009.

Një ditë pas lirimit nga Burgu, Ejupi pati thënë se ndihej mirë që drejtësia është vënë në vend.

“Në Gjykatën Supreme më liruan nga të gjitha akuzat dhe unë jam i lirë tani.”Gjithmonë e kam ditur që do të lirohem, pasi ai dënim ka qenë i padrejtë, me dëshmitarë të montuar dhe i gjithë rasti ka qenë i montuar”, kishte thënë ai.

Ejupi është i martuar dhe ka fëmijë derisa pas lirimit nga burgu kishte deklaruar se do të kërkonte kompensim për vitet e kaluara në qeli.

Baby Boo