Kush është Dritan Rexhepi, në 1998 vrau 2 policë, arratisja e 2007 dhe hera e fundit në Shqipëri


I arratisur katër herë nga burgjet, me disa dënime të rënda dhe identitete të rreme, i akuzuar për vrasje policësh, rrëmbimin e Jan Prengës me urdhër nga burgu e trafik ndërkombëtar droge, ky është Dritan Rexhepi, 43 vjeç, i arrestuar së fundi nga policia turke.

Ka lindur 10 prill 1980 në fshatin Velçë të Vlorës, dhe ka përdorur edhe emrat Lulëzim e Gramoz por edhe Dionisopoulos Rexhepi.

Në Shqipëri Dritan Rexhepi akuzohet se në 1998 vrau policët Arben Keqi dhe Durim Kasmi. Në vitin 2004 ka ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan, ndërsa në datën 20 mars 2004, ka vjedhur e ka nisur të përdorë identitetin e shtetasit Lulëzim Murataj, banor i Komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i dënuar në Angli.

Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Pas asaj ngjarje, u arrestua në vitin 2007 në një operacion të forcave speciale në një hotel në qendër të Tiranës dhe u transferua në policinë e Durrësit. Pasi u mor në pyetje nga prokurori, u arratis nga paraburgimi i Durrësit teksa po nxirej nga qelia për ti bërë fotografitë.

Me akuza të reja mbi supe, Dritan Rexhepi u shpall në kërkim por policia shqiptare nuk ra në gjurmët e tij derisa në vitin 2013 u arrestua në Itali. Shqipëria filloi procedurat për të nisur dosjen me qëllim ekstradimin, por mori si përgjigje njoftimin se i kërkuari nuk gjendej pasi ishte arratisur nga burgu i Vogheras në Itali.

I shpallur në kërkim tashmë nga dy shtete, Dritan Rexhepi u bë objekt i interpolit që filloi gjurmimin e tij dhe e arrestoi në Spanjë, për ta ekstraduar në Belgjikë ku ishte vendosur në burgun Merksplas. Edhe aty, shqiptari i shumëkërkuar bëri atë që dinte më mirë, arratisjen dhe largimin në drejtim të paditur.

Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar me gjeneralitetet Lulëzim Murataj në datën 28 nëntor dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikë kalimi dhe hyrja e fundit e tij është në datën 16 nëntor 2013. Kjo kohë përkon me kthimin e Dritan Rexhepit në një super-boss të krimit ndërsa në qershor të vitit 2014 Interpoli njoftoi kapjen e tij në Ekuador.

Asokohe 34 vjeç, ai ra në pranga gjatë një operacioni në të cilin u sekuestruan rreth 278 kg kokainë. Arrestimi në Ekuador nuk e pengoi aspak Dritan Rexhepin në aktivitetin e tij kriminal, pasi dyshohet se nga burgu drejtonte aktivitetin e rrjetit ku bënte pjesë në disa shtete.

Në fakt teksa ka dalë për herë të fundit nga Shqipëria në nëntor 2013 nga pika e Kakavijës në Gjirokastër, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në vendlindje, pasi në muajin Gusht të 2014, ai u arrestua në Ekuador pikërisht me emrin false, Lulzim Murataj.

Autoritetet turke njoftuan sot arrestimin e Dritan Rexhepit në Stamboll ku kishte shkuar me pasaportë kolumbiane me emrin Benjamin Garcia. Momentalisht në Shqipëri ai po gjykohet se porositi rrëmbimin e Jan Prengës.

Baby Boo