Kush e solli futbollin në Shqipëri? Rrëfimi i një ish-studenti në vitin 1934


Për herë të parë në Shqipëri, futbolli u luajt në vitet 1908-1909 në Shkodër. Revista Leka e vitit 1934 i kushton një artikull ardhjes së futbollit në Shqipëri me titullin “Foot-balli, kur filloi m’u njoftë e m’u përhapë në Shqipni” .

Artikulli nuk ka autor megjithatë nga ajo që shkruhet në të lë të kuptohet se autori ka qenë vetë një nga ata studentë që ka luajtur për herë të parë futboll në Shqipëri, duke qenë se ishte student i kolegjit Saverian, nga ku dolën themeluesit e shoqatës e të revistës që boton artikullin.

E në këtë artikull shkruhet se ish kleriku maltez A.Gatt Rutter ai i cili e solli këtë lojë (top e kamë) në Shqipëri në vitet 1908-1909 dhe ua mësoi studentëve të kolegjit Saverian në këtë qytet.

E në këtë rast, artikulli evidenton se profesori u përball me vështirësi për t’ua futur këtë lojë në zemër shqiptarëve për faktin se kjo lojë kërkonte kolektivitet, pra bashkëpunim e koordinim.

“Në fillim hoq mjaft keq i shkreti profesor me na shti në zëmer kolektivitetin qi lypë kjo lojë e me na enthuzjazmue per te. Na, sa ma fort shifshim zellin e perpjekjet e tija per me na xe aq ma tepër largoheshim e rrijshim ftoftas. Na dukej lojë e randë, pse lypte shkathsi e mundë të madh” shkruhet në artikull.

E në fakt, për 4-5 vitet e ardhshme kjo lojë nuk do të ishte popullore e nuk do të ushtrohej, derisa ardhja e ushtrive ndërkombëtare në 1913 do të ndryshonte situatën. Ushtritë angleze, franceze e gjermane që ishin të pranishme në Shkodër do të organizonin përballje futbolli mes tyre ndaj edhe pëlqimi i kësaj loje do të rritej.

“Me ket ftoftësi vazhduem per nja katër a pesë vjet, deri sa mbas luftës ballkanike erdhen ushtrit internacjonale në ket gjytet. Kur pam tue luejtë ushtarët ingliz, francez e german at-herë filluem me e çmue, e që prej asajë kohë e deri në vjetin 1933, kur kjo kolegjë u mbyll per shqiptarë, gjithmonë xansat e kësaj shkollë kjene lojtarët ma të mirët në vend t’ onë.

Mbas luftës së madhe, djelmnija shkodrane organizoj skuadra e shumica prei nesh, ish-Saverjan, punuem me duer t’ ona me dlirë e rrafshue fushen qi do të quhej “Fusha e topit.”

Me hapjen e shkollës Teknike filloj me u njoftë e me u luejtë dhe në Tiranë. U njit në shkallen qi asht sot mbas krijimit t’ Entit Kombtar “Djelmnija Shqiptare.”

Sot matchet e foot-ball-it priten me padurim e janë ba argtim i shum gjytetevet; lexohen me kureshtë nder fletore pershkrimet e ndeshjevet, gjikimet mbi skuadra e refera, mbi zotsi e sjellje të lojtarëvet jo veç të Shqipnis por të mbarë Europës” vijon artikulli.

Baby Boo