Kurti: Të ndërpritet dialogu personal i Thaçit me Serbinë


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se duhet të ndërpritet dialogu personal i presidentit aktual, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kurti tha se me njerëz jo kredibil të cilët po e përfaqësojnë vendin në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel, Kosovën nuk e presin sukseset.

“Me njerëz jo kredibil nuk na presin suksese, prandaj është e domosdoshme që çështja të kthehet në shoqërinë tonë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit. Dhe aty siç kemi theksuar dje, së pari të bëhet vlerësimi i raportit të qeverisë për dialogun gjashtëvjeçar 2011-2017, të ndërpritet dialogu personal i presidentit aktual pa mandat të Kuvendit, të formulohen kërkesat e Kuvendit dhe Qeverisë ndaj Serbisë, të përcaktohen parimet dhe kushtet e një dialogu të ri dhe në përputhje me këto të formohet Ekipi negociator. Gjithë kjo duhet të bëhet në mënyrë të hapur dhe demokratike. E vetmja gjë që nuk duhet të bëhet publike është strategjia e ekipit negociator, e cila vjen në fund”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, një ditë më parë u mbajt seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën nuk u votua Rezoluta e propozuar nga Partia Socialdemokrate lidhur me dialogun me Serbinë. /Telegrafi/

Baby Boo