Kurti: S’jam kokëfortë, jam parimor


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u është përgjigjur deklaratave të aleatëve ndërkombëtarë, të cilët e konsiderojnë si partner të vështirë dhe kokëfortë.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” , Kurti ka thënë se nuk është kokëfortë, por parimor.

“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”, ka thënë ai.

Po ashtu, kryeministri thotë se i ka dëgjuar miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, kur i kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit, si dhe zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të Komunave.

“Kryetarët e Komunave duhet të shkojnë në zyrat e tyre, apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”, ka pyetur shefi i Qeverisë së Kosovës.

Kurti për këtë gazetë ka zbuluar edhe për bisedat që i bën me presidentin e Serbisë gjatë takimeve në Bruksel.

“Kur e takoj zotin Vuçiq, më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Njëjtë ishte përgjigjur edhe në kohën e krizës nga cështja e targave në nëntor të vitit të shkuar, kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se Kurti është jokonstruktiv.

“Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor”, ishte përgjigjur pyetjeve të gazetarit Michael Martens.

Baby Boo