Kurti: Pse ende në shoqërinë tonë është turp të flitet për periodat?!


Dokumentari “Period. End of the sentence.” i cili fitoi Oscarin, flet për ciklin menstrual, dhe është i fokusuar në Indi. Aty shihen diskriminimet e mëdha, përfshirë ndërprerjen e shkollës, që vijnë si pasojë e mungesës së qasjes në pecetat higjienike. Fakti që në Indi, qasja në pecetat menstruale është krejt e paarritshme, nuk do të thotë që në vendet e tjera ku këto janë lehtësisht të gjendshme në treg nuk ka nëvojë për debat e adresim të kësaj çështjeje.

Në shoqërinë tonë (e shumë të tjera) është temë e cila trajtohet me siklet e turp. Fjalori ynë zyrtar i gjuhës shqipe nuk e përmend fjalën ‘menstruacione’. Tregohet konservator duke përdorur një fjalë krejt tjetër për këtë, si në formë metaforike megjithëse jo shumë e qëlluar, ‘gjetura’. Shpjegimi për këtë është krejt i shkurtë: ‘Të përmuajshmet e grave. I erdhën të gjeturat.”. Pas kësaj, në radhë është fjala ‘gjeturinë’ që ka kuptimin e sendeve të gjetura pa vlerë. Kurse, në orët mësimore në shkollë fillore tejkalohet shpejt kur është në planprogram për t’u mësuar, ose jetësohet praktika e famshme që djemtë lirohen nga ajo orë dhe kjo diskutohet mes vetëm nxënësëve.

Ndërkohë, duke mos u trajtuar si produkt bazë, çmimi i tyre është i lartë. Ato që nuk mund ta përballojnë çmimin detyrohen t’i blejnë ato më të lira, edhe nëse prej cilësisë janë më të dobëta dhe si pasojë mund të sjellin alergji a irritime. Tabu është edhe me kërku një apo gjysmë ditë të lirë nëse ditët gjatë menstruacioneve ke shumë dhimbje.

Pozitive është se diskutimi ka filluar, qoftë nga këndvështrimi i të drejtave, ai ekonomik apo ambiental. Lideri i laburistëve në Britani të Madhe Jeremy Corbyn është bërë pjesë e fushatës për lirimin e pecetave menstruale. Le të flasim edhe ne. Kemi shumëçka.
Tinka Kurti

Baby Boo