Kurti për Ballkanin e Hapur: “Do të mbështesim nisma në të cilat nga fillimi është e përfshirë BE-ja”


Mbështesim nisma në të cilat nga fillimi është i përfshirë Bashkimi Evropian, në vend se atë ta bëjmë pa BE-në. Ne e mbështesim tregun e përbashkët rajonal dhe vlerësojmë se kjo është rruga e drejtë përpara, deklaroi sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin për Ballkanin Perëndimor “Promovimi i inkluzionit dhe solidaritetit të Evropës” që mbahet sot në Shkup në organizim të “Ekonomist”, në përgjigjen e pyetjes nëse e mbështesni nismën Ballkani i Hapur.

Kurti theksoi se i japin mbështetje marrëveshjes së re me ndërmjetësimin e BE-së, që, siç tha, do ta lehtësojë zbatimin e nismave në të cilat është i përfshirë vetë Unioni.
“Besojmë se është shumë më mirë nëse nga vetë fillimi BE-ja është e përfshirë në të gjitha nismat në vend se të tentojmë ta bëjmë këtë pa BE-në. Nga ana tjetër më duhet të them se as si orientim politik, as si sensitivitet kulturor unë nuk bëj pjesë në grupin e njerëzve që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë vlerësoj se BE-ja është fati ynë ndërsa Evropa është kontinenti ynë”, theksoi Kurti.

Megjithatë, shtoi ai, për këtë qëllim është e nevojshme ta përfshijmë BE-në, ajo duhet të përfshihet në të gjitha vendet tona, por edhe të mos improvizojmë të punojmë brenda por na duhet ndihmë edhe nga jashtë.
“Ekonomia në Kosovë është duke u zhvilluar, megjithatë mu për këtë arsye na nevojitet ndihma e BE-së, jo humanitare si në të kaluarën por fonde zhvillimore me qëllim që institucionet tona të bëhen më të fuqishme”, tha në këtë kontekst Kurti.

Paraprakisht, në fjalimin e tij, Kurti vlerësoi se fillimisht janë të nevojshme demokraci funksionale dhe mbisundim i së drejtës, në vend të autokracisë dhe korrupsionit. Jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por edhe në BE, tha ai, jemi dëshmitarë të tendencave të mosrespektimit të vlerave dhe parimeve kryesore demokratike.

“Në kuadër të BE-së këto tendenca quhen demokraci liberale, derisa në Ballkanin Perëndimor kjo quhet demokraci jostabile, por ajo që është e përbashkët është sulmi mbi të drejtat dhe liritë themelore, siç është lira e të shprehurit dhe pavarësia e gjyqësisë. Kjo rezulton me heshtjen e opozitës, korruptimin dhe kontrollin e mediave, që të përhapet propagandë dhe lajme të rrejshme dhe kontroll mbi gjyqësinë, në mënyrë që nuk do të gjykohen për shkeljen e ligjeve. Kjo e paraqet kanosjen më të madhe për stabilitetin në rajonin tonë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës gjithashtu tha se duhet të përballemi me të kaluarën, pasi nuk është e mundur të shkojmë përpara nëse injorohet e kaluara.
“Që të përballemi me derdhjen e gjakut dhe me spastrimet etnike, të gjitha këto janë gjëra të gabuara nëse nuk e keni ndjenjën e fajit dhe të përgjegjësisë për atë që ka ndodhur atëherë dhe sërish do ta bëni atë. Pas Luftës së Dytë Botrore BE-ja ishte ndërtuar në themelet e pranimit të përgjegjësisë, përballjes me të kaluarën. Ne në Ballkanin Perëndimor duhet ta ndjekim këtë shembull”, tha Kurti në Samitin e “Ekonomist”.

Baby Boo