Kurti kërcënohet nga “Garda Vullnetare Shqiptare”, ai ia drejton gishtin Thaçit e “regjimit të vjetër“


Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ai dhe udhëheqësit tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje janë kërcënuar nga një grup i prezantuar si “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Kurti e ka publikuar në Facebook edhe faksimilin e komunikatës së “Shtabit Rajonal“ të organizatës në Prishtinë, e cila e mban datën 17 maj 2020.

Sipas faksimilit të komunikatës, kjo organizatë ka infotrmacione se grupe të ndryshme të Lëvizjes Vetëvendosje janë duke organizuar protesta në Prishtinë më 29 maj 2020.

Në komunikatë thuhet se pjesëtarët e kësaj organizate ”nuk do të qëndrojnë duarkryq”, por ”do t’i dalin në mbrojtje vendit”,

Kurti dhe udhëheqësit tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila cilësohet si ”organizatë kriminale”, paralajmërohen se rrezikojnë ”sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre”, në qoftë se, siç thuhet, ndihmonë organizimin e protestës

“Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV që ndihmojn në organizimin e kësaj proteste kan arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës“, thuhet në komunikatën e ”Gardës Vullnetare Shqiptare”.

Në komunikatë u drejtohet paralajmërim edhe ”popullatës” së Kosovës që të mos i përkrah këto ”protesta të pa ligjshme” se, përndryshe edhe ata do të jenë ”cak I veprimeve” të njësiteve të ”Gardës Vullnetare Shqiptare”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky kërcënim nuk është drejtuar ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sidomos ndaj kryetares së kësaj gjykate dhe ndaj gjyqtarit raportues të çështjes së dekretit të presidentit për mandatarin e qeverisë së re.

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexha. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkruan Kurti në Facebbok.

Kurti e drejton gishtin te Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe te mbështetësit e tij, të cilët i përmbledh në togfjalëshin ”regjim i vjetër”.

”Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata. Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, thekson ai.

Kurti ia ka bashkëngjitur edhe paralajmërimin e “Gardës Vullnetare Shqiptare”, e cila shoqërohet me 4 foto të Kurtit të vëna në shënjestër të armës.

Postimi i plotë i Kurtit:

Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/874893999677152/?type=3

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/874894053010480/?type=3

Baby Boo