Kurti: E kemi obligim të kërkojmë drejtësi për familjen Jashari


Me rastin e 22-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe Familjes së tij, është mbajtur akademi përkujtimore, ku morën pjesë krerët institucionalë, deputetë, familjarë të dëshmorëve, veteranë, mysafirë nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe pjesëtarë të familjes Jashari.
Akademia solemne nisi me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar, ndërsa u mbajt edhe 1 minutë heshtje, si shenj respekti për të gjithë familjen Jashari, por edhe dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se familja Jashari, më në krye Komandantin Legjendar, Adem Jasharin me përpjekjen e tyre për liri dhe me sakrificën e tyre të pashoq u shndërruan në referencë universale të lirisë.

“Kryengritësi para të cilit përkulemi sot betejën për liri nisi pikërisht nga shtëpia e tij e cila u bë fortifikatë e rezistencës e shumë sulmeve të forcave serbe përgjatë disa dekadave. Sulmet e vazhdueshme ndaj familjes Jashari dëshmonin çdo ditë e më shumë synimet gjenocidale të shtetit serb. Adem Jashari me familje mbrojtën pragun e shtëpisë, por shtëpia e tyre reale ishte Kosova. E familja e Adem Jasharit ishte populli liridashës i Kosovës. Kosova për të cilën ai dhe familja e tij u sakrifikuan, pra që sot ta kemi shtet sovran e të suksesshëm e të cilin çdo ditë e më shumë po përpiqemi ta konsolidojmë ta bëjmë të tillë çfarë deshi ai, familja Jashari, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, tha se liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetë n e tyre për lirinë e kombit mbi të gjitha familja Jashari
Ai tha se nuk mjafton vetëm të ngremë flamurin, e të mbajmë 1 minutë heshtje, por tha se duhet përkujdese institucionale, por edhe të kërkohet drejtësi për këtë familje dhe të gjitha të tjerat që pësuan nga regjimi serb.

“Si qeveri ne do të marrim përsipër zbatimin e duhur të ligjit për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’. Prekazi dhe kullat e jasharajve janë vendi prej ku ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar për vendin tonë. Kullat janë në gjendje të rëndë dhe kërkohet trajtim serioz profesional për të ruajtur dhe mbrojtur kompleksin ‘Adem Jadshari’. 21 vjet pas, vitin që shkoi Prokuroria Speciale e Kosovës për vrasjen e familjes Jashari. E kemi për obligim e detyrim për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë e për të cilën familja Jashari dha gjithçka që të kërkojmë ne drejtësi pa u ndalur jo vetëm për ata”, tha Kurti.

Profesori universitar, Agim Vinca tha se Epopeja e Prekazit bëri kthesë në historinë e Kosovës duke ndërruar rrënjësisht kahen e saj.

“Ajo rimëkëmbi shqiptarët, ringjalli moralin, dinjitetin dhe krenarinë e tyre të nëpërkëmbur dhe i tregoi botës që ishte i gatshëm të sakrifikohej për lirinë e vendit. Okupatori kësaj radhe si duket nuk i kishte bërë hesapet mirë. Duke e goditur familjen Jashari, këtë çerdhe të rezistencës të cilën e kishin halë në sy krerët e Beogradit kishin menduar se do ta frikësonin popullin e Kosovës dhe do ta detyronin të hiqnin dorë nga synimi i tij liridashës. Por ndodhi krejt e kundërta”, tha ai.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni G ucati tha se rrëzimi i ndërtesës të quajtur Jugosllavi për fat të keq i zuri shqiptarët brenda.
Ai tha se kur të gjithë popujt e tjerë i shpallen luftë të armatosur pushtuesit serb, shqiptarët i dhanë besimin atyre që zgjodhën rrugën e pacifistit dhe realizimin e synimit të politikës.
E kur politika paqësore nuk arriti qëllimet, Gucati tha se u shtua represioni serb ndaj shqiptarëve, ndërsa UÇK-ja doli në skenë.

“Politika e shtetit e cunguar shqiptar deklaronte se populli shqiptar i ka zgjedhur ata që duhet të kishin fjalët për udhëheqjen e pacifizmit. Këtu filloi tatëpjeta si rezultat i presionit të madh dhe shpërngulja dhe si pasojë e shtypjes së shqiptarëve nga ana e pushtuesit serb të asaj kohe. Lindi UÇK-ja me krye komandantin legjendar Adem Jasharin”, tha ai.

Një fjalë përshëndetëse krejt në fund e mbajti edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifati.
“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të familjes Jashari të ju përshëndes të gjithëve për këtë pjesëmarrje tuajn që i keni dhënë madhështinë kësaj akademia. Lavdia iu qoftë të gjithë dëshmorëve brez pas brezi që dhanë jetën për lirinë që ne ta gëzojmë sot këtu”, tha ai.

Baby Boo