Kurc: BE do të jetë i plotë vetëm pas integrimit të të gjithë rajonit, përfshi edhe Maqedoninë


Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurc u prit në Qeveri me flamur të gabuar, atë të Letonisë. Për këtë Qeveria menjëherë kërkoi falje, me arsyetimin se lëshimi i bërë nga shërbimet e protokollit të Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme ndodhi për shkak të ngjashmërisë së madhe të dimensioneve dhe ngjyrave të flamujve të Austrisë dhe Letonisë. Zyrtari i lartë austriak Kurc tha se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm pasi në të integrohet Maqedonia dhe gjithë shtetet tjera të rajonit. Kurc ftoi qytetarët që masovisht ta mbështesin Marrëveshjen për emrin dhe perspektiven evropiane në referendumin e 30 shtatorit.

Do të doja t’i ftoja qytetarët të marrin pjesë në këtë referendum dhe të shprehen “Për” zgjidhjen e kontestit të emrit dhe për perspektivën evropiane. Gjithsesi ky është vendim i secilit individ dhe me të vërtetë nuk më takon mua të marr vendim në vend të dikujt tjetër, por si mik i Maqedonisë dhe si vend aktiv anëtar i BE-së, ne do të vlerësojmë se do të ishte shumë më pozitive nëse do të ketë pjesëmarrje të lartë dhe rezultat pozitiv në referendum”- tha Sebastian Kurc, Kancelar i Austrisë.

Kryeministri, Zoran Zaev vlerësoi se vizita e kancelarit austriak është mbështetje e fuqishme, ndërsa u shpreh i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm. Zaev poashtu u shpreh optimist se Marrëveshja për emrin do të kalojë në Kuvendin grek, pasi beson në kryeministrin dhe kryediplomatin grek, Cipras e Kocias dhe në mbështetjen e shumicës së grekëve.

Vizita juaj është mesazh i fuqishëm dhe inkurajim për ne në prag të referendumit, në të cilin qytetarët e shtetit tonë do ta zgjedhin të ardhmen, do ta japin votën e tyre për miratimin e Marrëveshjes me Greqinë, pas çka na garantohet vendi ynë në BE dhe në NATO. Vizita juaj na e përcjell porosinë se Republika e Maqedonisë është kthyer në rrugën e vërtetë, në rrugën evropiane”- u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Kurc takoi edhe liderin e opozitës maqedonase, VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski të cilit ia përcolli të njëjtën porosi. Mickoski nga ana tjetër ka konfirmuar qëndrimin pro BE-së dhe NATO-s, por kundër Marrëveshjes për emrin./Pacensure

Baby Boo