“Kur e pashë për herë të fundit, dukej si kufomë”. Mbi 220 shoqata fetare në vend, disa predikojnë “ndriçimin” dhe refuzimin e ushqimit


Sandra është komshie me tre gratë nga Përmeti, të cilat vendosën të vetëflijohen për shkaqe mbi të cilat nuk është hedhur ende dritë.

Gruaja kujton për Gazetën “Si” se vetëizolimi i Zhanetës, së bashku me të bijat ishte kthyer në një shqetësim të madh në zonën e Kombinatit.

“U kisha thënë të gjithëve duhet t’i shpëtojmë, shkonte shpesh e motra që e kanë afër, hynte e kthehej, pastaj ato u mbyllën krejt. Lulet u thanë, dritat nuk ndizeshin më”, kujton komshia, e cila i përshkruan tre gratë si mjaft të sjellshme dhe të edukuara.

“Në një prej ditëve pasi njoftova Njësinë Bashkiake, për t’u shpërndarë ndihma, doli Zhaneta. Fillimisht ajo zgjati duart për t’i marrë ndihmat, pastaj u tërhoq, pyeti “kush kërkoi ndihma?”, “nuk kemi kërkuar”.

Por i thashë “merri, ja edhe unë që jam mirë nga ekonomia, i pranova”. I mori dhe hyri në shtëpi. Ishte tretur, ishte bërë si kufomë. Kjo ishte hera e fundit që e pashë”, rrëfen gruaja e cila punon në një lokal.

Për historinë e tre grave nga Përmeti, prej të cilave Anisa mendohet që ka ndërruar jetë e para, nuk ka ende një version të qartë se çfarë i shtyu ato të mbyllen në shtëpi e më pas edhe të refuzojnë ushqimin.

Megjithatë komshinjtë tregojnë se nëna së bashku me dy vajzat, të cilat kanë qenë më parë të angazhuara në punë, njëra si ekonomiste e tjetra si inxhiniere, frekuentonin fillimisht Dëshmitarët e Jehovait.

“Por Qendra e Jehovait u zhvendos, ato takoheshin shpesh me një fqinje që është martuar me një italian edhe ajo Dëshmitare e Jehovait, e cila e ka shtëpinë në një banesë private. Më pas ato nuk i frekuentonin më”, tregon një shitës.

Burri që nuk pranon të identifikohet flet për gazetën “Si”, teksa tregon me kokë banesën e tezeve të vajzave, e cila ishte e vetmja që zbriste nga pallati i saj e ngjitej në pallatin ku jetonin gratë.

“Ajo po e vuante këtë gjë, por ato nuk e pranonin më pas as tezen. I shoqi filloi të shqetësohej dhe shpesh fliste në lagje për këtë gjë. Ato nuk dilnin më as në ballkon, as në dritare”, shton burri.

“Nuk vinin më pas në lagje për të blerë ushqime, asgjë fare, të fundit kam parë nënën e tyre”, thotë ai.

Përse…

Në shtëpinë e tre grave, dy nga të cilat të vdekura e tjetra një hap larg vdekjes, u gjet literaturë fetare dhe disa shënime të tyre ku shkruhej për ndriçimin. Një burim i policisë tha se “gruaja së bashku me të bijat ishin shkëputur nga Dëshmitarët e Jehovait, e me shumë gjasë ato mund të kenë qenë të angazhuara në një sekt tjetër, por kjo do të saktësohet vetëm nga rrëfimi i të mbijetuarës në rast se shëndeti i saj mendor kthehet në normalitet”.

Sa sekte janë në Shqipëri

Ka të dhëna se ekzistojnë 220 shoqata fetare apo që shpërndajnë të dhëna frymëzuese për besime të ndryshme.

“Por së fundmi janë regjistruar edhe disa shoqata nga India, të cilat po zgjedhin edhe Facebook-un për propagandë. Ato propagandojnë ndriçimin shpirtëror, përmes teknikave të panjohura, por fokusohen edhe tek ushqimi”, shton eksperti i policisë.

Sipas tij, duhet hapur debati publik për kontrollimin e prurjeve të tilla e njëkohësisht edhe për thirrjen e ekspertëve fetarë në polici, të cilët do të mund të tregojnë se çfarë po ndodh – shkruan Gazeta Si.

Baby Boo